Sport Shqipëri nuk fiton dot as me një lojtar më shumë. Tronditet stoli...

Shqipëri nuk fiton dot as me një lojtar më shumë. Tronditet stoli i Rejës

Festa e golit te Lenjanit

Shqipëri zhgënjyese në “Air Albania”. Kuqezinjtë luajnë me një lojtar më shumë thuajse gjatë gjithë lojës dhe bëjnë shumë pak për të fituar ndaj islandezëve dhe ndonëse kryesuam për minuta të tëra, ndëshkohen në minutën e 7 dhe të fundit shtesë, duke u ndalur në barazim 1-1 dhe duke mbetur të fundit në grup.

Kuqezinjtë e nisin mirë sfidën dhe ndihmohen nga VAR-i, që sinjalizon një karton të kuq për mbrojtësin islandez që në minutën e 8’, duke provuar ta bëjë të lehtë sfidën për tanët, por në fakt nuk rezultoi aspak kështu.

Edi Reja vijoi të këmbëngulë te mbrojtja me 5, pavarësisht se kundërshtari sulmonte vetëm me një lojtar, ndërsa kuqezinjtë vuajtën jo pak për të gjetur goditjen e parë në portë, që erdhi pikërisht në të 35-ën me Lenjanin, i cili gjuajti saktë me kokë dhe shënoi golin e vetëm të sfidës.

Pjesa e dytë ofron një Shqipëri të fikur, që nuk ndizet as nga tentativat personale të Bajramit, ndërsa Islanda i afrohet disa herë golit të barazimit me kundërsulm, por Strakosha bën mirë detyrën në mes të shtyllave.

Zëvendësimet e Rejës janë të vonuara, pas minutës së 70’ dhe disa shpërthime të Brojës ndezin disi entuziazmin, por shumë shpejt fillon të ndjehet frika e barazimit dhe skuadra tërhiqet mbrapa e lëshon terren.

Dhe pikërisht ajo të cilës tifozët i druheshin, ndodhi në sekondat e fundit të lojës.

Në minutën e 96 të takimit, atëherë kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar, miqtë gjejnë golin e barazimit me Anderson, duke kthyer fërshëllimat në Air Albania dhe tronditur stolin e Rejas, i cili nuk gjen një fitore prej thuajse 10 ndeshjesh.

Me mbylljen e ndeshjeve në grupin e 2 të Ligës B, Shqipëria renditet në vend të tretë me 2 pikë, duke lënë pas vetëm Rusinë e skualifikuar për shkak të luftës në Ukrainë.