Aktualitet Shqipëria, 1 milion euro për qytetet e prekura gjatë tërmetit në Turqi

Shqipëria, 1 milion euro për qytetet e prekura gjatë tërmetit në Turqi

Shqipëria akordon një mbështetje prej 1 milionë eurosh për Turqinë, duke kontribuar kështu në rindërtimin e zonave që u dëmtuan nga tërmeti i pak ditëve më parë. Në Konferencën e Donatorëve, që u mbajt sot në Bruksel ishte e pranishme Zv. Kryeministrja Belinda Balluku.

Prononcimi i plotë i Zv. Kryeministres Balluku

Prezenca e Qeverisë Shqiptare sot në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar në Bruksel nga Komisioni i Bashkimit Europian, por sigurisht edhe nga Presidenca Suedeze është një moment i rëndësishëm solidariteti. Populli ynë e ka provuar gjatë tërmetit të 2019 sesa i rëndësishëm qe dërgimi i solidaritetit nga të gjitha shtetet, sidomos nga shteti turk i cili nisi menjëherë skuadrat e shpëtimit, skuadrat më të specializuara që ekzistojnë në Europë.

Ashtu kemi bërë edhe ne nga momenti i parë, duke dërguar menjëherë një skuadër të përgatitur për ‘search and rescue’, por nga ana tjetër edhe një skuadër me mjek dhe me infermierë. Por, sot këtu në konferencën e donatorëve ne kemi deklaruar se do të mbështesim këtë moment të vështirë për Turqinë me 1 milionë euro, të cilat do të përdoren për rindërtimin e qyteteve të rrënuara.

Sigurisht është një shumë modeste, por ne sot kërkojmë të tregojmë solidaritetin tonë dhe respektin që kemi për popullin vëlla turk dhe sigurisht për të gjithë bashkëpunimin midis dy qeverive, duke nisur nga niveli ekonomik dhe diplomatik, edhe për më tepër për t’ju gjendur pranë në ditë të vështira si këto.