Ekonomi Shqipëria bie në “Doing Business”: Keq me energjinë, taksat dhe lejet e...

Shqipëria bie në “Doing Business”: Keq me energjinë, taksat dhe lejet e ndërtimit

Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018” duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim.

Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë.

Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit.

Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve.

Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë.

Në vendin e dytë renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë.

Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.

Më pas vjen regjistrimi i pronave, ku Shqipëria renditet në vendin e 103.

Më mirë nga të gjithë procedurat e marra në vlerësim është ajo e mbrojtjes së investitorëve në minorancë ku jemi të 20-ët dhe më pas tregtia, pra ulja e barrierave tregtare ku Shqipëria renditet në vendin e 24.

Fillimi i një biznesi na rendit të 45-ët, kurse aksesi në financim të 42-ët.