Kryesore “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të hapin negociatat në pranverë”

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të hapin negociatat në pranverë”

Komisioneri për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, Olvier Varhelyi thotë se BE mund të korrigjojë gabimin e bërë në tetor me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është takimi i parë i ministrave të jashtëm në të cilin marr pjesë në funksionin e komisionerit për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë dhe jam shumë i kënaqur me këtë detyrë. Ne zhvilluam një mëngjes pune me ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë së bashku me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian. Debati ishte shumë inkurajues. Duket se mund të ecim përpara dhe të korrigjojmë gabimin që u bë në tetor. Ne duhet të jemi gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit me të dyja vendet në pranverë të vitit të ardhshëm”, u shpreh komisioneri për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë Olvier Varhelyi.

Mëngjesi i punës është organizuar me iniciativën e Greqisë për të dëgjuar dy ministrat Cakaj dhe Dimitrov mbi avancimin e përmbushjes së kritereve të caktuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë një mbështetje të gjerë prej më shumë se 15 shtetesh anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars të vitit të ardhshëm.

Por, që një vendim i tillë të bëhet i mundur kërkohet unanimitet i të gjitha shteteve anëtare.