Ekonomi Shqipëria dominon rajonin: Të parët për prodhimin e naftës, të tretët për...

Shqipëria dominon rajonin: Të parët për prodhimin e naftës, të tretët për konsum

Shqipëria është prodhuesi më i madh i naftës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i treti më i madh në të gjithë Europën juglindore, thotë një raport i publikuar së fundmi nga instituti i energjisë në Europën juglindore, me bazë në Greqi.

Në rajon, ku përfshihen 12 shtete, së bashku me vende si Turqia apo Greqia, Shqipëria është e treta, me një prodhim prej 21100 fuçi nafte në ditë, duke u renditur pas Turqisë dhe Rumanisë.

Ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë, i vetmi shtet që mund të matet me vendin tonë është Serbia, me një prodhim prej 20.500 fuçi nafte në ditë. Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia ndërkohë kanë zero prodhim nafte.

Kur bëhet fjalë për konsumin ndërkohë, Shqipëria renditet e treta ndër vendet e Ballkanit perëndimor, pas Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Raporti vlerëson se, në vendin tonë, konsumi i naftës fiksohet në 24 mijë fuçi në ditë, lehtë mbi prodhimin.

Gjithsesi, prodhimi vendas duhet ndare nga konsumi, pasi bëhet fjalë për naftë bruto, pra të papërpunuar, dhe që në pjesën dërrmuese eksportohet jashtë, në mungesë të kapaciteteve përpunuese në vendin tonë.

Shqipëri 21,100 24,000
Bosnje dhe Hercegovina 0,00 33,000
Bullgari 3,600 90,000
Kroaci 18,000 76,000
Qipro 0,00 53,000
Maqedoni 0,00 18,000
Greqi 1,900 285,300
Mali i Zi 0,00 6,100
Rumani 103,000 187,200
Serbi 20,560 76,000
Kosovë 0,00 12,000
Turqi 61,000 719,270