Kryesore Shqipëria e Zogut në fokusin e shtypit botëror/ Gazeta e Hitlerit: Shqipëria,...

Shqipëria e Zogut në fokusin e shtypit botëror/ Gazeta e Hitlerit: Shqipëria, komb i fortë

Në fillimin e viteve ’30-të, kur regjimi Monarkisë së Zogut po bënte hapat e parë drejt zhvillimit të ekonomisë së vendit, mjaft gazeta të shteteve të ndryshme të botës si: “Diplomaten Zeitung”, “Der Tag”, dhe “Volkische Beobaschter”, të Berlinit, “Neue Wiener Tagbiatt”, e Vienës, “Algemein Handelsblatt” e Amsterdamit, “Grazer Tagespost”, e Çikagos, etj, i kushtuan faqe të tëra Shqipërisë, duke publikuar resurset natyrore e turistike, e deri tek gërmimet arkeologjike dhe historinë saj të lashtë

Nga Dashnor Kaloçi*

Reformat e mëdha radikale që ndërrmori regjimi i Monarkisë së Zogut në fillimin e viteve ’30-të për zhvillimin me ritme sa më të shpejta të ekonomisë së vendit, me qëllim për ta nxjerrë atë nga një prapambetje e thellë ku ndodhej, duke aplikuar dhe përshtatur së pari një legjislacion modern për kohën, (të huazuar nga shtetet e zhvilluara të Perëndimit), bënë të mundur që në Shqipëri të futeshin jo vetëm mjaft investitorë e banka të huaja, por dhe në drejtim të saj të vërshonin një numër i madh kapitalesh, dhe tregtia e jashtmëme të ndiente një rritje të paparë ndonjëherë. Të gjitha këto i dhanë automatikisht impulse zhvillimi ekonomisë së vendit, sidomos në fushën e tregtisë, bujqësisë dhe blegtorisë.

Krahas kësaj, qeveritë e Monarkisë së Zogut, i dhanë një prioritet të madh edhe zhvillimit kulturor të vendit, duke u përqëndruar kryesisht në gërmimet dhe zbulimet e shumta arkeologjike që fshiheshin në thellësitë e nëtokës tonë. Të cilat u realizuan nga ekspedita të huaja (siç ishte ajo franceze e drejtuar nga Leon Rey), me një punë të admirueshme disavjeçare. Në këtë kontekst të zhvillimit të vendit, Shqipëria e fillim viteve ’30-të, u bë objekt dhe hyri në fokusin e mjaft gazetave dhe revistave nga më presigjozet e vëndeve të ndryshme të botës, si: “Diplomaten Zeitung”, “Der Tag”, dhe “Volkische Beobaschter”, të Berlinit, “Neue Wiener Tagbiatt”, e Vienës, “Algemein Handelsblatt” e Amsterdamit, “Grazer Tagespost”, e Çikagos, etj, të cilat i kushtuan asaj faqe të tëra me reportazhe, komente, kronika dhe analiza. Shumë nga këta artikuj, të cilat i mblodhi dhe i botoi në disa shkrime të veçanta, miku i Shqipërisë, publicisti austriak, Leo Aleksandër Freundilich, u përkthyen dhe u publikuan edhe në shtypin shqiptar të atyre viteve. Një prej të cilave ishte dhe gazeta “BESA” e Tiranës, (me botues Fiqri Rusin) që botoi disa prej shkrimeve të tij. Nga ato artikuj të kësaj gazete ne kemi përzgjedhur këto që po botojmë në këtë shkrim, duke i qëndruar besnik, gjuhës së shkruar të asaj kohe, pa i bërë asnjë ndryshim.

“Ç’shkruan shtypi i huaj për Shqipërinë”?

Me kënaqsi mund të shënohet se shtypi i huaj sa po vjen aq më shumë po merret me Shqipërinë dhe me zhvillimin e saj. Nje tok botime me rëndësi të fletoreve te shquara njoftojne se zhvillimi i Shqipërisë, tendencat e saj politike, si dhe lufta e saj per nje jete me te mire e më të përparuar jane me vënd. Duke marrë parasysh ngushticën e vendit, ne ketu po ribotojmë vetëm një pjesë të vogël të këtyre botimeve për Shqipërinë, dhe ketë gjë po e bëjmë me një mënyrë fare të shkurtër. Disa shprehje shtypi që po përmënd këtu, vlejnë të ribotohen tërsisht edhe në shtypin shqiptar.

Gazeta “Diplomaten Zeitung”: Zogu bëri shtet kompakt

Pikë së pari të përmëndim artikullin e Aleksandër Brauerit, që u botua më 31 janar në Nr. 79 të fletores “Diplomaten Zeitung” të Berlinit mbi Lartëmadhërinë e tij, Zogu i Parë, Mbret I Shqiptarëve. Përpara të gjithave ky artikull përcakton se Piktura e karakterit të të N. M. T. Mbretit, është vizatuar me shkronja t’arta në historinë e Shqipërisë: “Mbret asht ay i vetmi i kombit shqiptar, Shpëtimtar i shtetit shqiptar nga grindjet e damshme të partive të ndryshme. Prijsi i Shqipërisë për një kulturë më të lartë e për një të ardhme më të lumtur”. Simbas një përshkrimi historik të jetës e të veprave të N. M. T. Mbretit Zog i I në ngrehjen e shtetit shqiptar, autori thotë se vepra e N. M. T. Mbretit Zogu i I nuk shtrohet aspak në përparimin material dhe në reformat me randësi shtetnore dhe shoqërore, megjith që nuk munt të quhen aq të mbëdhaja për një vënt që nuk është aq i pasur nga burimet e t’ardhurave, dhe në kohën e një krize ekonomike e cila edhe shtetet pasanike po i trondit nga themelet.

Merita më e madhe e Mbretit Zog, është që prej një populli të ndarë e të përçarë në bargje dhe nëpër partira, dijti të bënte një komb kompakt e të bashkuar, me një ndërgjegjie shtetnore e me nje ndjenjë kombëtare; që njohu në kohën e duhur rëndësinë e madhe të stërvitjes kombëtare e të disiplinuar të rinisë shqiptare…Ky artikull që përfshin një faqe e gjysëm gazete, dhe që mban mbi krye portretin e N. M. T. Mbretit, përfundon me këto fjalë: “Kombi shqiptar,-më i vjetri i ujdhezës ballkanike-e ka ruajtur, si fare pak kombe të tjerë, ndjenjën e kombësisë së tij nga valët e shkumbëzsuara t’harrimit të popujve, nga vështirësitë e mijvjetorëve, nga sundimi i huaj shekullor, dhe epokën e rilindjes kombëtare e drejton plot fuqi dhe vullnet Zog i I Mbret i Shqiptarëve”.

“Volkische Beobaschter”, e Hitlerit: Shqipëria komb i fortë

Përshtypje të veçantë ka bërë edhe një artikull tjetër mbi Shqipërinë, i cili u botua më 24 janar 1934 në një nga fletoret më me influencë të qeverisë së sotme gjermane, në “Volkische Beobaschter”, organ personal i kancelarit Adolf Hitler. Ky artikull, që është jashtë masës interesant, merret imtësisht me kohën e kaluar dhe me historinë e re të Shqipërisë. Përshkruan hollësisht vështirësitë e krijimit të shtetit të ri dhe pastaj shton: “Me gjithë këto vështirësi të panumërta, sot mbas njëzet vjet tronditje dhe stuhije, Shqipëria është një shtet kombëtar, i forcuar në vetvete, dhe është gati të mbrojë pavarsinë politike vetë me duart e tij”. Pastaj rrëfen rolin që kanë luajtur shqiptarët në qeverinë turke dhe thotë: “Sado malsorët shqiptarë gjysëm sovranë vazhdonin në kryengritjet e tyre t’ë egërta e t’ë gjakshme kundër sundimit të Sulltanit, prapë se prap shqiptarët qenë të lirë të futeshin në nënpunësirat më të larta të qeverisë Osmane. Me gjithë këtë, bota nuk dinte që shqiptarët janë një popull i vjetër i Evropës, që si komb kanë kufi të caktuara me Sllavët dhe me Grekrit, dhe që kondra valëve të popujve që janë derdhur në vendin e tyre, i kanë ruajtur gjer më sot e këtë ditë”. Duke bërë fjalë prej ndërrimeve të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, që janë bërë në këto vjetët e fundit, artikulli thekson rolin e N. M. T. Mbretit. Ky thotë se N. M. T. Mbreti që kur qe ministër dhe kryeministër, dinte të drejtonte gjithë politikën e vendit të tij me një zotësi të madhe, dhe di të mbajë rregulle qetësi. Rastësisht artikulli nxjerr në shesh zotësinë e jashtëzakonëshme të një burrë shteti, të cilën N. M. T. Mbreti e rrëfeu në çashtjen e politikës së jashtme, dhe në fund shton: “Prijsi i Kombit që ka vetëdije të plotë të qëllimit të tij, në krijimin e shtetit shqiptar ka punuar me mish e me shpirt, dhe se indipendenca kombëtare e Shqipërisë është për të gjeja me e shenjtë dhe më e shtrenjtë”.

“Gjenerali i Shtatmadhorisë austro-hungareze për Shqipërinë”

Jo më pak përshtypje ka bërë një artikull tjetër i gjerë prej pothuaj prej katërqind rradhësh, të cilën e botoi Kryetari i Shtatmadhorisë austro-hungareze, Gjeneral-koloneli, Baron Arthur Arz Von Strauensburg, më 28 janar në krye të fletores më me rëndësi t’Ungarisë, “Pester Lloyd”. Ky artikull që përmbante titullin “Mbretnia Shqyptare” e kujton se përpara njëzet vjetëve në Shqipëri muhamedanët dhe të krishterët, bashkërisht mbanin Gahnën (flamurin me stemën e Kastriotëve, shënimi ynë) e Skënderbeut dhe njoftonin se këtej e tutje populli shqiptar do të jetë i lirë, vëtëurdhëronjës dhe i pavarur. Por për t’ja arritur lirisë së vërtetë duhesh bërë edhe një udhë shumë e gjatë e plot gjemba. Pastaj erdhi lufta. Por mbas lufte shqiptarët zunë të punonin.

Baron Arzi kallzon pastaj shfaqjen e N. M. T. Mbretit Zog në politikën e Shqipërisë, luftrat e tij për pavarsinë e saj dhe për rregullimin e qetësisë së brëndëshme. Pastaj përshkruan në një mënyrë të hollë luftën për Shqipërinë e re, tendencat e reformave dhe punën e randë për konsolidimin dhe për përparimin e Shqipërisë, të cilat u arrinë nën udhëheqjen e N. M. T. Mbretit. Më në fund Baron Arzi përment përpjekjet e shumta për ngrehjen e një blloku ballkanik, dhe e rrëfen tepër të rëndësishëm atitduen (qëndrimin zyrtar. Shënimi ynë) që do të mbajë Shqipërinë në këtë çështje.

“Gazeta ‘Der Tag’ e Berlinit për Shqipërinë”

Gazeta e madhe e Berlinit, “Dar Tag”, botonte më 7 dhjetor të këtij viti një artikull të të mirënjohturit shkrimtar politik Andre Von Kun, i cili titullohet “Shqipëria në lartësim e sipër”…Këtu autori përshkruan atitudën (qëndrimin) që kanë mbajtur përfaqësonjësit e Shqipërisë në konferencat e ndryshme të Ballkanit. Që në vitin 1931, delegati i Shqipërisë ka shfaqur dëshirë për një bashkëpunim të përzëmërt të të gjithë shteteve t’ujdhesës ballkanike, duke nderuar të drejtën e njënjësimit të të gjithë kombevet. Në kuvendin ndërballkanik që u mbajt në Tiranë, për administratën bashkiake, Kryetari i përfaqësonjësve shqiptarë, tha se një nga pengimet kryesore të paqes së përbotëshme është menduarja e ngadaltë e disa burrave të shtetit, të cilët në asnjë mënyrë nuk kanë dashur t’i bindeshin zhvillimet të këtyre njëzet vjetëve të fundit, dhe pasurinë e shtetarëve të varfër e kanë shkrirë për qëllime armatimi. Në konferencën e fundit në Selanik, kryetari i delegacionit shqiptar, në emrin e qeverisë së tij, u rrëfye gati të pranojë një pakt ballkanik të thjeshtë dhe jo të koklavitur.

Natyrisht se me ketë ky, nuk kuptonte formën e traktateve të sotshme në grupe, të cilët s’munt t’i sjellin as një dobi interesës së përgjithshme të shteteve të Ballkanit; por si traktate regjionale favorizojnë vetëm disa vende, dhe sigurojnë moscënimin e kufive vetëm të disa shteteve. Përkundrejt kësaj, si mbas mendimit të qeverisë shqiptare, qëllimi i një pakti ballkanik munt të jetë vetëm formimi i një blloku të përbashkët të të gjithë shteteve ballkanas, i cili në themel të së njënjësimit të pakufizuar, i bën njëjësisht ballë, çdo kërcënimi, qoftë ky nga jashtë, qoftë ky nga një prej anëtarëve të kompleksit ballkanik. Paktet e veçantë të mëparshëm munt të vërtetëoheshin në kohën e paqes, por nuk munt të ndalonin dot të rrahurat e para të topit. Vetem vullneti i sinqertë dhe i përgjithshëm i paqes munt të na sjellë shpëtimin dhe prehjen t’onë shpirtërore!

Pastaj artikulli merrte me zhvillimin politik të Shqipërisë në këto vjetët e fundit dhe thotë se Shqipëria e provoi më së miri se u zgjua nga gjumi shekullor dhe tani po i drejtohet një t’ardhme të lumtur e më e bukur. Po ky autor merret në “Neyen Zyricher Zeitung”, fletorja më e madhe e turistëve gjermanë në Zvicërr, dhe në një nga fletoret më të rëndësishme të Evropës, me rrëmimet e Butrintos dhe thotë mbi Shqipërinë: “Shqipëria ka pasë përpara një tokë mijë vjetëve qytet qytetare kulturore dhe ka qenë sqena e ngjarjeve historike. Përpara 3000 e sa vjetëve këtu rrinin stërgjyshrit e shqiptarëve të sotshëm, Illyrianët, një bark indogjerman, sundimi i të cilit zgjerohej deri tutje n’Europën qendrore, në pjesën më të madhe të Austrisë, në Baltikum, në Thungrien, si dhe pothua në tërë Ballkanin. Më vonë këtu sundonin grekërit dhe romanët, zotërinjtë e Byzancës, Hohenstafauerit, Normanët, Napoli, Venecia dhe Turqia…Asnjeri prej këtyre nuk mund të qëndronte dot. Këtu ka ndenjur vetëm populli i shqiptarëve, i cili duke zënë rrënjë dhe duke mbajtur zakone të vjetra të tij, ka rrojtur më shumë se këta të huaj gjer sa feksi dita e pavarsisë dhe e lirisë”.

“Algemein Handelsblatt’ e Amstredamit”

Më gjithë që përpara pak kohësh u zu n’gojë një numër i math botimesh interesante të shtypit evropian mbi Shqipërinë, prap tani na paraqiten një tok botime fletorare t’interesantshme për Shqipërinë, të cilat duhet të përmënden sidomos nga pikëpamja bibliografike. Në një tok botimesh t’imta, të shumta në nënfletë ose në pjesën shkencore, përsëriten lajmet e fletoreve të mbëdha mbi rezultatin e shkëlqyer të rrëmimeve në Butrinto. Këto rradhë do të dëftejmë një publikacion të math të fletores së Amsterdanmit “Algemein Handelsblatt”. Kjo fletore e madhe e përditëshme, rëndësia e së cilës i kalon kufijtë e Hollandës, bën fjalë prej historisë shumë të interesantëshme të qytetit të Butrintos, duke parashikuar njëkohësisht dhe të dhënat e Aneidës së Virgjilit. Fletorja e Basellit “Auto Touring”, organ zyrtar i klubeve të ndryshme në Zvicërr merret gjith po kështu në nënfletën e saj të titulluar “Një Trojë e dytë në Shqipëri” me këto rëmime.

Kjo fletore kallzon se Shqipëria, e cila simbas epopesë së Virgjilit, ka qenë vatra e dytë e Trojanvet t’arratisur, gjatë kaq shekujve, ka pasur fatin të shohë kaq ushtri dhe kaq sundonjës: Grekër, Romakë, Byzantinë, Hoschenstafuer, Normanë, Mbretër të Napolit, Republikën e Veneciaz dhe më në funt Turq. Po tërë këta zotërinj kanë qenë të detyruar të linin, dhe më në funt stërnipërit e Illyrianëvet, Shqiptarët u bënë zot i kësaj toke, e cila për tri mijë vjet me rradhë është vaditur me gjakun e stërgjyshërve të tyre.

“Sonntagepost’ e Çikagos: Në skenën e Aenedes në Shqipëri”

Në numrin e Kërshëndellave të “Sonntagepost”, të Chikagos , po mbi këtë objekt, u botua një artikull i math, i cili përmban titullin: “Në sqenën e Aeneidës në Shqipëri”. Edhe ky artikull bën fjalë në një mënyrë të shkoqitur prej parahistorisë së Butrintos së vjetër, i cili vete gjer në kohën e gojdhënavet, Po në këtë mënyrë rrëfen se stabilizimi i Shqipërisë nën qeverinë e Mbretit Zog i I, gjeti kushtet e para për të nxjerrë në dritë qytetet antike të Shqipërisë. Gjer më sot artikuj të këtillë janë botuar në një tok fletoresh të Gjermanisë, t’Austrisë, t’Saarës, të Çekosllavakisë, dhe të Svicrrës. Këto artikuj kanë bërë një përshtypje të madhe n’opinionin botor, dhe kemi bindje të plotë se këtej e tutje do të shtyjnë një tok turistë për të udhëtuar në Shqipëri.

“Grazer Tagespost’: Berati, stoli orientale”

“Grazer Tagespost”, më datë 29 dhjetor, në nënfletën e saj të nënshkruar prej pendës së kontit Austriak, Albrecht von Meran, me titull: “Berati, një stoli orientale”, botonte një artikull mjaft të bukur, ku autori (konte Meranit vijnë në një rradhë pas atyre të Habsburgut) që ka udhëtuar në Shqipëri dhe që ka botuar shumë artikuj mbi Shqipërinë, rrëfen me entuziazëm të madhe bukurinë e rrallë të Beratit dhe të rretheve të tij. Artikulli përmban një rrëfim të entuziazmuar dhe plot ngjyra të shkëlqyera të panoramave të këtij qyteti. Nga çdo rradhe e këtij artikulli mburon dashuria e vërtetë dh’e papërbuzur e një mikut të vërtetë të Shqipërisë, i cili është tepër mirënjojtës për tërë bukuritë që ka thithur shpirti i tij në këtë vënt.

“Neue Wiener Tagbiatt”: Bukuria e rrallë e Liqenit të Shkodrës

Eduard Erich, kishte shërbyer aty si ushtarak në Luftën e Parë Botërore

Ndërmjet shumë gazetave dhe revistave të huaja që në faqet e tyre kishin lënë një hapësirë të madhe për vëndin e shqiponjave, ishte dhe “Neue Wiener Tagbiatt”, e Vjenës, e cila nëpërmjet gjeneral-majorit, Eduard Erich, sillte në vëmëndjen e lexuesit austriak, pamjet e qytetit të Shkodrës me liqenin e saj piktoresk. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash aty shkruhet: “Në fletoren “Neue Ëiener Tagbiatt”, Gjeneral-majori austriak, Eduard Erich, boton një artikull mbi “Golfin e Drinit”. Në këtë vënt autori ka qëndruar në kohën e luftës, dhe prej përshkrimit të tij kuptohet lehtë se ky e ka parë Shqipërinë me syrin e mirë e të mprehtë të një miku të natyrës. Simbas mendimit të këtij, çdo njeri që e njeh këtë vënt vetëm në mënyrë të përcipëshme, mund të formojë një bindje të gabuarshme, dhe këtë vënt mund ta mbajë për një vënt të pafrytshëm, për një shkretëtirë. Por ky vënt rrëfen se në Malin e Rencit ka parë hardhijë, ullij, fiq, si dhe shumë pemë të tjera.

Në verën e vitit 1918, këtij i kanë sjellë dy shporte me rrush të vëndit si dhuratë. Këta rrushë i kanë sjëllë në mëndje atë pjesë të Ungjillit që bën fjalë prej pemëve të atij vendi ku mburon qumësht e mjaltë. Në Rodon bahen shegë të mëdha, dhe këta ia falin udhëtarit të gjorë një rafreshkim të shijshëm. Në kaçubet që gjenden anës Malit të Rencit, ka gjetur protokolle dhe limonj. Në këtë mënyrë rrëfehet mundësia e kulturës bujqësore. Autori pastaj rrëfen bukurinë e panoramave të këtij vendi, bën fjalë prej bagëtisë së këtij vendi, si dhe prej peshqve, shtazëve t’egra dhe prej kamjes së shumtë të druve të rralla. Shumë fletore austriake botojnë një artikull, shkencor t’interesantëshme mbi Liqenin e Shkodrës. Si mbas përshkrimit topografik të liqenit, i cili në kohën e rromakëve quhesh: Lacës Labeatis, autori thotë:

“Që në kohën e lindjes së Krishtit aty ka qenë një liqen, i cili rritesh më të parën e syrit. Nga të dhënat e moçme kuptohet se aty nga 1200 dhe 1230 ky vënt është imonduar (inondata, përmbytur. Shënimi ynë) edhe veçuar nga ana e veriut, dhe që ahere është formuar ishulli Vrana etj. Pastaj artikulli merret me ngjarjet e vitit 1850 kur Drini buçiti m’atë anë të kufivet të tij dhe u bë një i Bojanës. Në lidhje me pikat hydrografike autori vërteton se tërë lugina e liqenit, e rrethuar prej maleve të Karsit, është një nga ato fusha typike, të cilat janë goditur për arsye tektonike. (Qëndrimi i zhvillimit normal i fushave me formimin e maleve të rinj). Siç duket vendi që zë sot Liqeni, në kohrat parahistorike ka qenë një fushë e përshkruar prej një lumi: dhe simbas mendimit t’autorit ky lumë i vjetër ka patur ndonjë lidhje nëndhese me detin. Mbi një numër të madh botimesh të tjera, do bëjmë fjalë në një artikull tjetër”.

* TemA