Aktualitet Shqipëria jep 1 milion euro për Ukrainën në Konferencën e Donatorëve

Shqipëria jep 1 milion euro për Ukrainën në Konferencën e Donatorëve

Shqipëria dhuron 1 milion euro ndihmë për Ukrainën në Konferencën e Donatorëve që po mbahet në Varshavë të Polonisë.

Kryeministri Edi Rama, që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencë, u shpreh mirënjohës për praninë e vendit tonë në këtë event, edhe pse siç tha, është i vetëdijshëm për kontributin tonë modest.

Ai theksoi se kjo shumë nuk do të ndryshojë fatin e luftës apo rindërtimit, por Shqipëria do të bëjë deri në fund më të mirën për popullin ukrainas.

“Shqipëria do të kontribuojë me 1 milion Euro. E kuptoj që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës, apo të rindërtimit, por jemi të nderuar që jemi këtu dhe jam shumë falenderues ndaj kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë që na bënë pjesë të saj. Deri në fund do të bëjmë më të mirën drejt miqve dhe popullit ukrainas”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka pritur refugjatët ukrainas dhe që ka dërguar pajisje ushtarake për forcat atje.

Më tej ai shtoi se qeveria shqiptare ka miratuar kornizën ligjore që lejon ardhjen e refugjatëve ukrainas në vendin tonë.

Konferenca e donatorëve për Ukrainën u organizua nga Polonia dhe Ukraina.