Aktualitet Shqipëria ka dalë nga zona e rrezikut, Manastirliu: Vaksinimi masiv po jep...

Shqipëria ka dalë nga zona e rrezikut, Manastirliu: Vaksinimi masiv po jep rezultate

Ministrja Ogerta Manastirliu ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit këtë të premte se Shqipëria ka dalë nga zona e riskut të Covid-19. Ajo u shpreh se sipas analizës së bërë nga ekspertët tashmë po vijojmë të shohim efektet e para të vaksinimit masiv që sipas saj po japin rezultat.

“Vendi ynë bazuar në të dhëna epidemiologjike ka dalë nga zona e kuqe, nga zona e riskut së Covid-19 krahasuar me vende të tjera si të rajonit ashtu edhe në Europë. Kemi incidencë të ulët të javës që është mbyllur. Kemi një rënie të pozitivitet i total. Numri i pacientëve në spitale është ulur dhe dje kemi shënuar një ritëm akoma më të ulët se ditët e mëparshme, 111 të shtruar në spitalet Covid dhe në 3 spitalet rajonale. Kjo situatë është falë masave të shënjestruara që kanë synuar të kenë impakt sa më të vogël mbi përditshmërinë dhe aktivitetin e qytetarëve dhe padyshim që kanë dhënë impakt në mbajtjen e pandemisë. Duhet të theksojmë se sipas analizës së bërë nga ekspertët e shëndetit publik tashmë mund të shohim efektet e para të vaksinimit që po japin rezultat”.

Manastirliu u shpreh se sa i përket vaksinimit Shqipëria është në të njëjtin ritëm si mesatarja e BE-së. Ministrja theksoi se vaksinimi masiv do të vijojë me shpejtësi. Sipas Manastirliut deri më tani janë kontraktuar mbi 2.3 milionë doza vaksine të cilat po vijnë në vendin tonë sipas kalendarit të lëvrimit.

“Kemi mbërritur në vaksinimin e grupmoshës mbi 60 vjeç. Kemi vaksinuar me dozën e parë dhe vijojmë me dozat e dyta mbi 400 mijë të moshuar. Si dhe nëpërmjet planit të vaksinimit të kombinuar janë vaksinuar më shumë se 5 mijë punonjës të fabrikave material përpunues, mbi 3 500 punonjës të operatorëve turistikë dhe ka filluar vaksinimi me dozën e dytë të mbi 12 mijë efektivëve të policisë së shtetit. Shqipëria sot radhitet ndër vendet me ritme shumë të mira të vaksinimit. Sa i përket vaksinimit të popullsisë për 100 banorë në 7 ditët e fundit. Jemi në të njëjtin ritëm si mesatarja e BE-së dhe vaksinimi vazhdon me intensitet të lartë, i shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore në vend si dhe në qendrat e përqendruara tashmë në të gjithë vendin”.

Sipas ministres së Shëndetësisë lirimi i masave që do të bëhet duke pasur parasysh edhe sezonin veror duhet të bëhet në mënyrë graduale dhe duke respektuar rregullat e pandemisë siç është distanca sociale, higjiena dhe maska.

“Po bëjmë gjithçka në dorë për t’i paraprirë një sezoni turistik krejt ndryshe nga ai i vitit të shkuar me shumë lehtësi dhe do të mbyllim brenda muajit Maj vaksinimin e stafeve të operatorëve turistik përtej një sezoni turistik prej pandemisë. Por lirimi gradual i masave dhe i kujdesshëm duhet të shoqërohet me distancimin fizik, me higjienën me maskat që të mos bëjmë hapa pas”, tha ministrja.