Opinione Shqipëria ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të rinisë

Shqipëria ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të rinisë

Në historinë moderne të Shqipërisë, 8 Dhjetori 1990 përbën një ditë kthese epokale për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Është dita që vrau frikën nga diktatura komuniste dhe hapi historinë demokratike pluraliste në vend.

Në krye të kësaj lëvizje historike u vu rinia studentore.

8 Dhjetori i vitit 1990 tregoi se rinia shqiptare përbënte gjeneratën më të guximshme, më të fuqishme, më demokratike dhe më idealiste të shoqërisë.

Ishin të rinjtë që shprehën me guxim e qartësi aspiratat e mbarë shoqërisë kundër diktaturës, varfërisë dhe vetë-izolimit.

Në këtë ditë historike ne përkulemi me nderim të jashtëzakonshëm përpara Azem Hajdarit, liderit të lëvizjes studentore, që frymëzoi, guxim, kurajo e shpirt sakrifice në ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj e intelektualë që vërshuan në Sheshin e Qytetit Studenti e rrugët e Tiranës me thirrjet “Liri-Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Askush nga studentët e lëvizjes studentore nuk e dinte fatin e tij të mëvonshëm në ato orë dhe ato ditë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Por të gjithë ishin të bindur se nuk mund të vazhdojë më si deri atë ditë, cilido që të ishte fati dhe çmimi që i priste.

As dhuna e as kërcënimet nuk e ndalën lëvizjen studentore, e cila në pak ditë u shndërrua në lëvizjen demokratike mbarëkombëtare që solli kapitullimin pa kushte të regjimit komunist, pikërisht këtu, ku jemi mbledhur sot, në “Pallatin e Brigadave”, sepse fuqia e studentëve dhe pedagogëve që ishin këtu me Azem Hajdarin në krye qëndronte tek shpërthimi i uraganit rinor dhe mbarëpopullor jo vetëm në Qytetin Studenti, por edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë.

Por, demokracia nuk do të ishte e lehtë. Çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë, ndaj ne sot përulemi me respekt të thellë para veprës së Arben Brocit dhe shumë të tjerë, të cilët dhanë jetën e tyre për të mbrojtur dhe çuar përpara demokracinë në Shqipëri.

Lëvizja studentore dhe demokratike nuk do të kishte qenë aq e suksesshme dhe vizionare pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e pedagogëve dhe intelektualëve progresistë të kohës.

Ndaj sot një nderim të veçantë e kemi për të gjithë ata pedagogë që janë këtu dhe që ndodhen në të gjithë botën. Një përulje të veçantë e kemi ndaj intetektualit guximtar Gramoz Pashko, i cili nuk mund të ndodhet dot midis nesh, por edhe shumë të tjerëve.

Njëzet e shtatë vite më parë nga gjokset rinore kumbonte fuqishëm thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ishte një formulim i thjeshtë, por jashtëzakonisht vizionar.

Rinia shqiptare kërkonte demokraci evropiane, sepse shihnin te Evropa modelin drejt të cilit duhej të ecte Shqipëria.

Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga koha kur thirrja rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” pushtoi mendjet dhe zemrat e gjithë shqiptarëve.

Por, jehona e saj akoma gjëmon si një aspiratë jo plotësisht e realizuar.

Me gjithë progresin e rëndësishëm që vendi ka bërë duhet të jemi vetëkritik për rrugën që na mbetet për të plotësuar në mënyrë që kjo aspiratë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” të bëhet plotësisht realitet.

Është koha që t’i besojmë rinisë më tepër përgjegjësi nëpërmjet gjithëpërfshirjes së saj në realizimin e reformave që kërkon integrimi evropian e vendit

Vendit i duhet kontributi i rinisë për të çuar përpara reformën në administratën publike, për sistemin e drejtësisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Duhet të bëjmë gjithë përpjekjet tona për të ngjallur shpresat dhe për t’i hapur perspektivat rinisë shqiptare në vendin tonë të mrekullueshëm, sepse është e papranueshme që edhe sot pas 27 viteve shumë të rinj të aftë e të talentuar ta kërkojnë Evropën jashtë vendit të tyre.

Sot më tepër se kurrë Shqipëria ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të rinisë, për energjinë e saj dhe dijet bashkëkohore të saj dhe lidershipin e saj.

Një vend pa të rinj është si një familje pa fëmijë.

Ndaj 8 Dhjetori sot është, jo vetëm një ditë nderimi për studentët e Dhjetorit ‘90 dhe veprën e tyre, por është edhe ditë apeli për të gjithë të rinjtë e sotëm, që të mësojnë dhe të frymëzohen nga guximi, kurajoja dhe sakrifica e bashkë-moshatarëve të atyre të atëhershëm, në mënyrë që edhe ata të marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen evropiane të vendit tonë.

Rroftë rinia jonë e mrekullueshme!

E paharruar vepra e Lëvizjes studentore!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Faleminderit!

*Fjala e Presidentit Ilir Meta gjatë pritjes për 8 Dhjetorin, Ditës së Rinisë.