Kryesore Shqipëria “krenare” në një karikaturë skandinave të 1913-tës

Shqipëria “krenare” në një karikaturë skandinave të 1913-tës

Nëse i hedh një sy karikaturave e ilustrimeve grafike të shtypit europian e atij amerikan të asaj periudhe, Shqipëria paraqitet si një vend i dobët e i brishtë, që mezi qëndron më këmbë duke pritur vazhdimisht me sytë nga Europa.

Por në ndonjë rast, paraqitet edhe si një “benjamin” i përkëdhelur i Fuqive të Mëdha, e cila duket se në një mënyrë të pavetëdijshme, po shfrytëzon më së miri kontradiktat që ato kanë me njëra-tjetrën, për të arritur qëllimet e veta. Ndërkaq, duket se në këndvështrimin e disa mediave të tjera në kontinent, Shqipëria nuk është vetëm “benjamini i Europës”, e as skllavi i pafat që po pret verdiktin me vdekje, ku të ftuarit në sallën e gjyqit janë pikërisht fqinjët e tij, të cilët po fërkojnë duart e po presin me padurim ngushtimin e lakut në fytin e saj.

Në një karikaturë të rrallë, botuar në një revistë satirike suedeze (e cila në fakt botohej në Finlandë, si pjesë e komunitetit apo pakicës kombëtare suedeze, e cila përbënte dhe elitën ekonomike të Finlandës së sapopavarësuar nga Rusia), Shqipëria paraqitet ndoshta për herë të parë në një mënyrë kaq eksplicite, ku shquhet qartë një përzierje (grafike)  artistike, në të cilën bëhen njësh, lufëtari shqiptar me jatagan e fustanellë i Toskërisë, me simbolin e flamurit të shtetit ( asokohe) më të ri në kontinent.

Veç faktit se ajo është vënë në cover-in e revistës, përshtypje të bën pikërisht paraqitja tepër krenare e shqiptarit, tipare këto të cilat Europa kish nisur prej kohësh t’i anashkalonte, me apo pa dashje. Hipur në një piedestal të lartë, i cili në fakt është harta e reduktuar e  territoreve të veta, shqiptari krenar duket se ka ngulur fort këmbët e thonjtë në tokën e tij, e nuk pranon të ulë sytë e të shohë se ç ‘bëhet nën këmbët e tij, ku duken siluetat e fuqive të mëdha, në një pozicion në pritje, duke ruajtur prénë, për të parë se çdo të ndodhë me të.

Nga një rrëmim që i kam bërë arkivave skandinave të asaj kohe, çështja shqiptare duket se zë një vend të admirueshëm, nëse mban parasysh largësinë gjeografike nga Shqipëria, interesin e mangët dhe mungesën e informacionit, mobilitetit dhe pamundësive të tjera praktike, teknologjike e financiare që ngrinin krye asokohe. Por nga ana tjetër, brenda faqeve të shtypit skandinav, do mund të gjeje shpesh reportazhe, analiza e raporte, por edhe lajme të shkurtra mbi zhvillimet në Shqipëri, të cilat përkojnë me nivelin e raportimit dhe interesit që shfaqnin gjithashtu edhe vende që kishin interesa direkte në Ballkan, përfshirë këtu edhe çështjen shqiptare. Një kulm i raportimit të tyre arrihet në vitet 1912-1914, për të pësuar më pas një ulje të ndjeshme në përiudha të tjera historike përgjatë shekullit të shkuar.

Botuar në Helsinki më 19 prill 1913, karikatura mban diçiturën: “Principata e Pavarur e Shqipërisë – shteti më i ri i Europës” dhe është një prodhim i redaksisë së revistës satirike FYREN (në shqip: Fari), e cila renditej në atë kohë si njëra ndër më të lakuarat në mbarë hapësirën skandinave, duke njohur një numër të konsiderueshëm lexuesish.