Kryesore Shqipëria në BE, Gjermania: Do flasim kur të përmbushen pikat

Shqipëria në BE, Gjermania: Do flasim kur të përmbushen pikat

Katrin Staffler, raportuesja e re e CDU/CSU-së në Komisionin e BE-së së Bundestagut ka folur për krizën politike në Shqipëri. Gjatë një interviste të dhënë për Deutsche Wellen, ajo tha se vendi duhet të përmbushë detyrat e saj, që të bëhet pjesë e BE-së.

Shqipëria është në protestë. Si i shikoni ju këto protesta?

Fillimisht duhet thënë se qytetarët janë të pakënaqur dhe këtë e artikulojmë me anë të protestave. Ky është kuptimi që ka demokracia.

Por protestuesit duan të rrëzojnë qeverinë. Partitë opozitare kanë dorëzuar mandatet, pra nuk kemi të bëjmë me një protestë të thjeshtë. Presidenti tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të vetësakrifikohej. 

Sigurisht, është një situatë e vështirë, sepse zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021. Kjo nuk do të thotë që Parlamenti ose Presidenti të mos hapin rrugën për të krijuar kushtet e duhura për të vazhduar rrugën e reformave. Sepse unë mendoj se reformat kanë ngecur në vend për shkak të situatës së vështirë në të cilën ndodhet vendi. Dhe kjo nuk e ndihmon situatën

Qeveria gjermane deri tani ka qenë zyrtarisht në krahun e kryeministrit Rama dhe kundër dorëzimit të mandateve. Edhe kolegu juaj nga CSU, Florian Hahn, është shprehur ngjashëm, pa mirëkuptim për djegien e mandateve. Shumë qytetarë shqiptarë e ndjejnë veten të pakuptuar nga ndërkombëtarët dhe mënyra si e shohin këta krizën aktuale në Shqipëri. Cili është opinioni juaj?

Mendoj se qeveria gjermane nuk ka pse të ndërhyjë në konflikt si e tillë. Ne jemi të përfshirë në BE dhe mendoj se çdo dialog duhet bërë në radhë të parë nëpërmjet Bashkimit Evropian.

Por pikërisht partia juaj ka qenë ajo, që me gjithë rekomandimin e Komisionit të BE-së, në katër vitet e fundit ka përpiluar dy herë kushte shtesë për Shqipërinë.

Ne fillimisht duhet të presim raportin e ri të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, para se të bëjmë pohime të parakohshme. Natyrisht e shohim me vëmendje situatën në vend. E marrim me mend se në cilin drejtim do të shkojë raporti dhe pastaj do të marrim vendimet.

Vitin e kaluar Shqipëria e mori një si gati premtim për çeljen e negociatave. Mendoni se për shkak të krizës Shqipëria ka shënuar një hap prapa në krahasim me vitin e kaluar?

Ju thatë që ishte pothuajse e premtuar. Unë besoj se kjo nuk duhet parë kështu. Ne duhet ta dimë se përse është fjala. BE-ja nuk është vetëm një treg i përbashkët ose një hapësirë e përbashkët ekonomike, por në radhë të parë një bashkësi vlerash bazë. Këto janë: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, disa të drejta themelore që ua garantojmë njerëzve. Dhe unë mendoj se për sa kohë që nuk shohim përparime në këto drejtime, atëherë bëjmë mirë të mos flasim për afate kohore, të mos bëjmë asnjë premtim, por të shohim se cilat janë pikat që duhen përmbushur.

Po a nuk ishte kështu vitin e kaluar? Komisioni tha se janë plotësuar kushtet, le të hapim negociatat.

Po, por njëkohësisht tha se ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen rregulluar.

Për shembull?

Reforma e drejtësisë është një pikë shumë e rëndësishme. Vërtet që vettingu ka shënuar një hap përpara, por duhet pritur derisa të përmbyllen të gjitha verifikimet sepse vendet vakante duhen zënë me personel. Unë shpresoj që këtu të punësohen njerëz kompetentë.

Çfarë do t’i këshillonit qeverisë shqiptare për të dalë nga kriza?

Unë nuk besoj se ne jemi në gjendje t’i themi  qeverisë shqiptare se çfarë duhet të bëjnë ata. Ajo çfarë mund të bëjmë ne është që t’i themi qeverisë shqiptare se çfarë duhet të bëjnë për të nisur negociatat me BE-në. Dhe kur këto pika të jenë përmbushur, atëherë mund të vazhdojmë më tej.

Jemi në prag të zgjedhjeve europiane. Çfarë qëndrimi ka partia juaj konkretisht ndaj zgjerimit të BE-së.

Nuk flas dot për të gjithë në parti. Por nga diskutimet del në pah se parimisht ne e shohim Shqipërinë në BE, nëse ajo i plotëson kushtet.

Por kjo temë sikur nuk përmendet shumë nga partia juaj tani, në prag të zgjedhjeve.

Pyetja është se kur do të dalë progres-raporti dhe pastaj mund të flasim më tej. Nëse kjo ndodh para zgjedhjeve, në rregull. Vendimtare nuk është data e zgjedhjeve për Parlamentit Evropian, por data e progres-raportit të Komisionit.