Politika Shqipëria në BE, Kim: SHBA nuk ka bërë thirrje për të “mbyllur...

Shqipëria në BE, Kim: SHBA nuk ka bërë thirrje për të “mbyllur një sy” ndaj mosarritjeve

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka folur sërish për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vënë theksin te reforma në drejtësi, si çështje kyçe për të arritur këtë qëllim.

Diplomatja e amerikane me një shënim në “Twitter” shkruan se SHBA ka bashkëpunuar gjithmonë me BE për të ndihmuar Shqipërinë, me synimin që të ecë para, pavarësisht mangësive, ku një ndër to është edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo thotë se SHBA-ja kërkon ngritjen dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese brenda dhjetorit të këtij vitit.

“SHBA dhe BE janë të bashkuar në mbështetjen tonë për Shqipërinë në BE. Në asnjë çast SHBA nuk ka bërë thirrje për të “mbyllur një sy” ndaj mosarritjeve; përkundrazi, i kemi nxjerrë në pah dhe kemi ofruar mbështetjen tonë për përparimin. Kjo është edhe arsyeja pse SHBA së bashku me BE përqendrohen kaq shumë në Reformën në Drejtësi, përfshirë nevojën që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor”, shkruan ambasadorja Kim.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë një zë konsistent mbi zhvillimet politike dhe të drejtësisë në Shqipëri.

Në qëndrimet e saj publike, diplomatja amerikane ka motivuar strukturat e reja të drejtësisë të godasin krimin dhe korrupsionin, me qëllim që publikut t’i kthejnë sa më parë besimin tek drejtësia.