Sport Shqipëria nuk e llogariti, Olayinka grumbullohet nga Nigeria

Shqipëria nuk e llogariti, Olayinka grumbullohet nga Nigeria

Pak ditë më parë me një deklaratë të tijën për mediat çeke pas golit që realizoi ndaj Interit në Champions Peter Olayinka i hapi dyert kombëtares shqiptare duke theksuar se do ta mirëpriste një ftesë nga kuqezinjtë dhe se ishte i gatshëm të luante për skuadrën e drejtuar nga Edy Reja.

Por shpresa e të gjithë shqiptarëve për të parë ish-talentin e Skënderbeut të mbajë veshur fanellën e Shqipërisë ka marrë fund shumë shpejt, pasi sulmuesi 23-vjeçar është grumbulluar për herë të parë nga kombëtarja e vendit të tij të lindjes Nigeria. Trajneri Gernot Rohr e ka përfshirë Olayinkën në listën prej 23 lojtarësh që janë thirrur për dy sfidat miqësore të muajit tetor që Nigeria do të ketë ndaj Brazilit dhe Singaporit. Në fakt bëhet fjalë vetëm për dy ndeshje miqësore që nuk do t’i hiqnin të drejtën Olayinkës për të përfaqësuar Shqipërinë në të ardhmen edhe nëse luan në këto dy sfida por gjithsesi fakti që është grumbulluar tregon që drejtuesit e federatës nigeriane të futbollit e kanë në planet e tyre futbollistin.