Kryesore Shqipëria rikthehet të fitojë pas më shumë se një viti

Shqipëria rikthehet të fitojë pas më shumë se një viti

Shqipëria rikthehet të fitojë pas më shumë se një viti. Kuqezinjtë e Edi Rejës mposhtën 2-0 Armeninë në “Air Albania”, teksa suksesi i fundit ishte regjistruar në 15 nëntorit e vitit të kaluar përballë Andorrës (1-0).

Xhuliano Skuka zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë në takimin e tij të parë si titullar me Kombëtaren. Aksion shumë i bukur i Shqipërisë, Kristjan Asllani, lojtari më i mirë i ndeshjes, “shpiku” një pasim fantastik për Enis Çokajn.

Mesfushori i Panathinaikosit dhuroi një asist për Skukën, i cili dërgoi topin në rrjetë duke ndezur festën në “Air Albania”. Sulmuesi i Partizanit pati një tjetër shans të artë në pjesën e dytë, por goditi mbi tra.

Goli i qetësisë erdhi në minutën e 63’. Tedi Cara fitoi një penallti, ekzekutimin e të cilës e mori përsipër Asllani. Mesfushori i Interit gjuajti saktë dhe gjeti golin e parë me kuqezinjtë. Golin e gjeti edhe Cara (87’) pas asist të Asllanit, por arbitri anësor e anuloi për pozicion të parregullt. Shqipëria menaxhoi mirë minutat e mbetura dhe në fund siguroi një fitore të rëndësishme në aspektin moral.

Reja: E di ku do ndërhyj nëse qëndroj

Suksesi i parë për vitin 2022 erdhi pas 369 ditësh, triumf për të cilin Edi Reja foli për emisionin “Kuq e Zi” në SuperSport, aty ku preku edhe tema të tjera, duke u ndalur edhe te lojtarët e Superiores.

“Fitore në ndeshjen e fundit? Ndoshta, po nuk i dihet, nuk mund ta them. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Djemtë treguan temperament dhe dëshirë të madhe. Kur ka lëvizje në sulm loja bëhet edhe më e lehtë për mesfushën. Luajtëm mirë, jam i kënaqur sot. Ky duhet të jetë shpirti i Shqipërisë, me ose pa mua, pasi energjia e djemve është e rëndësishme në ekipin kombëtar, njësoj si dëshira dhe lidhja me fanellën.

Lojtarët e Superiores? I kam ndjekur këta lojtarë gjatë kampionatit. Ka shumë lojtarë që më kanë rënë në sy, ka lojtarë që mund të bëjnë mirë në Kombëtare. Mua më pëlqen të bëj edhe stërvitje dhe seleksionime javore apo mujore, gjithmonë nëse më lejojnë klubet. Nuk e di nëse do të vazhdoj, por kushdo që do vijë do të gjejë një punë të ngritur, do gjejë tavolinën plot dhe shumë lojtarë të talentuar, do ketë mundësinë të zgjedhë.

Nëse do jem unë, i kam idetë e qarta. Detyra ime ishte të rrisja vlerat e lojtarëve, mendoj se kemi lojtarë që janë të gatshëm për të luajtur me Kombëtaren. Nëse do të vazhdoj si trajner i Shqipërisë, e di se ku duhet të ndërhyj.

Lojtarët e rinj? Të gjithë janë të aftë, Skuka tregoi vlerat e tij, edhe Hadroj ka vlera në aspektin dinamik dhe atë të rezistencës, por duhet të përmirësojë diçka në aspektin teknik. Ka edhe shumë të tjerë. Edhe Bitri po bën mirë, në lartësi janë edhe lojtarë të tjerë që nuk i grumbullova këtë radhë. Cara është lojtar interesant, ka teknikë, lëvizshmëri dhe ritëm. Janë lojtarët që duhet mbështetur dhe duhen integruar në ekipin kombëtar. Kemi rreth 40-50 lojtarë që mund të jenë pjesë e Kombëtares.

Goli i parë? Kur ke kohën në dispozicion për të punuar bën edhe gjëra të tilla, por ka raste që lojtarët i harrojnë lëvizjet që përgatisim. Përgatitëm disa lëvizje, lojtarët i mbajtën mend dhe i bënë në ndeshje. Sa bukur do ishte nëse do kishim më shumë kohë për të punuar së bashku. Kemi kualitet, e treguam në lëvizjet e sotme. Fizikisht jemi mirë, por kemi nevojë për t’u përmirësuar në aspektin taktik”, përfundoi trajneri i Shqipërisë”.