Aktualitet “Shqiptarët kanë marrë në dorë kontrollin e kokainës nga Amerika e Jugut...

“Shqiptarët kanë marrë në dorë kontrollin e kokainës nga Amerika e Jugut në Britani”

“Daily Mail” ka realizuar një dokumentar sërish për shqiptarët dhe lidhjet e tyre me krimin dhe drogën. Media britanike thotë se mafiozët nga vendi ballkanik kanë marrë kontrollin e drogës nga Amerika e Jugut në Britani. Sipas kësaj medie, në Ekuador jetojnë rreth 4 mijë shqiptarë.

“Tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar shkon deri në 2 miliardë paund me gati 1 milion përdorues, ndërsa numri i vdekjeve të lidhura me kokainën është rritur 7-fish në vetëm një dekadë. Hetimet e Agjencisë Kombëtare të Krimit kanë treguar se grupet kriminale të organizuara nga shqiptarët po kontrollojnë tregun e kokainës në pjesën më të madhe të Britanisë, me përjashtim të Merseyside, ku vendasit janë ende në krye.

Tani, këta baronë droge kanë marrë kontrollin e shpërndarjes së drogës nga Ekuadori, aty ku janë përfshirë në një betejë të përgjakshme me kartelet lokale për të marrë nën kontroll shpërndarjen ndërkombëtare të drogës. Aktualisht, shqiptarët kanë marrë nën kontroll zonën bregdetare në Brighton and Hove, aty ku futet kokaina në Britani.  Një figurë misterioze e krimit nga Shqipëria, të cilit i janë bërë të ditura vetëm iniciale, thuhet se është në krye të një rrjeti trafikantësh droge që furnizojnë me kokainë shtresën e mesme dhe studentët në Britani.

Prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord pas rikthimit të normalitetit nga pandemia. Fernando Villavicencio, president i komitetit të mbikëqyrjes së Kongresit, tha se rreth 4,000 shqiptarë jetojnë në Ekuador. Trafiku i drogës, korrupsioni dhe forma të tjera të krimit të organizuar kanë hyrë thellë edhe në shtet, në klasën politike. Sot, kuadri i brishtë institucional dhe demokracia janë në rrezik serioz”, shtoi ai. Kokaina nga Ekuadori në Mbretërinë e Bashkuar futet me anë të kontejnerëve të cilët zakonisht zbarkojnë në portet e Roterdamit ose Antwerp, ku ka pasur edhe aty një rritje të madhe të krimit të lidhur me bandat e drogës”, shkruan Daily Mail.