Ekonomi Shqiptarët kursejnë në qira, kusuri shkon për ushqime. Argëtimi, i pamundur

Shqiptarët kursejnë në qira, kusuri shkon për ushqime. Argëtimi, i pamundur

Shqipëria ka çmime më të lira se vendet e Bashkimit Europian veçanërisht për ushqimet, pijet, hotelet dhe restorantet, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët mund të përfitojnë nga to.

Sipas anketës së INSTAT për shpenzimet për familje, rezulton se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për ushqim dhe pije jo-alkoolike. Me 45,2%, Shqipëria është shumë larg çdo vendi tjetër të BE, e cila ka një mesatare prej 12.2%. Ky shpenzim në familjet shqiptare është shumë më i lartë edhe se për vende të tjera të rajonit, si Serbia, ku këto shpenzime zënë vetëm 26,8% të totalit.

Duke e krahasuar buxhetin e një banese shqiptare dhe të tjerave në Europë, rezulton se ka diferenca të theksuara në mënyrën se si shpenzohen paratë.

Kështu, në vendet e unionit, ajo që rëndon më shumë janë shpenzimet për banesën, qiraja, uji dhe dritat. Ky shpenzim zë ¼ e buxhetit të një familjeje europiane dhe në mënyrë të ngjashme edhe të një familjeje në Serbi. Ndërsa shqiptarët janë të favorizuar nga fakti se 93% e familjeve janë pronarë të banesës ku jetojnë. Në Serbi kjo shifër është vetëm 81%, ndërsa në Gjermani zbret deri në 52%.

Një tjetër fushë ku familjet në vend kursejnë është edhe transporti, për të cilin shpenzohet vetëm gjysma e asaj që do të shpenzonin në BE.

E megjithë kursimin në qira dhe transport, përsëri nuk garantohen të ardhura mjaftueshme për dëfrim. Vihet re se për grupin “Argëtim dhe Kulturë”, një familje shqiptare shpenzon vetëm 1/3 e asaj të një familjeje europiane. Kjo shprehet në vlera përqindjeje ndaj totalit të shpenzimeve, pasi nëse llogarisim se buxheti familjar në Europë është më i madh, atëherë diferencat janë edhe më të theksuara.

Në mënyrë të ngjashme shpenzohet më pak edhe për restorante dhe hotele, megjithëse duhet thënë se në këtë fushë tejkalojmë Serbinë.

Në veshje, shëndet dhe komunikim, shqiptarët shpenzojnë një pjesë të ngjashme me atë çka harxhojnë vendet e tjera të marra në analizë. E vetmja kategori e mbetur, arsimi, tregon se edukimi, librat dhe pjesa tjetër e bazës materiale rëndon më shumë në xhepat e familjeve shqiptare se të atyre gjetkë.