Kryesore Shqiptarët, një popull i varfër, por drejtohen nga kryebashkiakë miliarderë

Shqiptarët, një popull i varfër, por drejtohen nga kryebashkiakë miliarderë

Open Data Albania ka zbardhur deklarimin e pasurisë të kryebashkiakëve që drejtojnë Bashkitë e Shqipërisë, disa prej tyre kanë pasuri që tejkalon shifrën 1 milion euro.

Në vend të parë renditet kryetari socialist i bashkisë së Pukës. Përpara se të zgjidhej në krye të bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj ka deklaruar një pasuri prej gati 6 milionë euro. Gjonaj zotëron disa apartamente, magazina, por edhe biznese, përfshirë gjysmën e hotel-turizmit në Pukë. Të gjitha këto pasuri, sipas deklarimit të Gjonajt, kanë ardhur nga aktiviteti i biznesit përpara se ai të bëhej kryebashkiak.

Eduard Kapri, kryebashkiaku i Pogradecit, i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike, renditet në vendin e dytë. Edhe pse në deklarimin e tij nuk i ka konvertuar në vlerë pronat që zotëron, kryebashkiaku i Pogradecit është pronar i 45 apartamenteve në Shëngjin, me sipërfaqe mbi 3000 metra katrore dhe 37 bodrumeve të tjera në Lezhë.

Në vendin e tretë renditet kryetarja socialiste e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi. Zonja Bufi ka disa apartamente, trojeve dhe biznese, me vlerë totale 1.5 milionë euro. Burimi i këtyre parave, sipas deklarimit, është nga emigracioni.

Tonin Marinaj, kryebashkiaku socialist i Malësisë së Madhe, renditet i katërti në listë. Sipas deklarimit, pasuria e tij, përpara se të zgjidhej, ishte mbi 1.3 milionë euro.

Fiqiri Ismaili, kryebashkiaku demokrat i Vorës, qytetit të vogël pranë Tiranës, ka një pasuri rreth 1 milionë euro. Ai zotëron 5 apartamente, dyqane dhe një biznes imputesh bujqësore.

Në vendin e 6 dhe të 7 renditen dy figura të njohura të partisë socialiste, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini. Kryetari i Bashkisë së Durrësit zotëron një pallat 11 katësh, disa troje dhe magazina, të cilat kanë një vlerë rreth 650 mijë euro. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Elbasanit zotëron 640 mijë euro pasuri të patundshme, pjesa dërrmuese e të cilave në Fier.