Politika “Shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre”, mesazhi i Metës në...

“Shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre”, mesazhi i Metës në ditën e Çlirimit: Detyrë e të rinjve të ndalin shpopullimin

“Sot të rinjtë e Shqipërisë kanë një detyrë shumë të madhe, të kenë vetëbesim dhe angazhim dhe të marrim përgjegjësi që të ndalin shpopullimin e të rinjve dhe shqiptarëve dhe të bëjnë të mundur që edhe ata që kanë ikur të kthehen në vendin tonë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Është ky apeli i kreut të shtetit Ilir Meta, në një prononcim për gazetarët, pasi kreu homazhe në varrezat e Dëshmorëve.

Ai tha se qytetarët shqiptarë duhet të marrin në dorë fatet e tyre për ndryshimin që kërkojnë dhe të mos presin nga askush.

“Populli shqiptar ka treguar që di të ngrihet mbi përçarjet dhe kërkojnë t’ia bjerrin atdhedashurinë e besimin tek e ardhmja, por jam optimist që shqiptarët e kanë të qartë që kërkohet ndryshim i jashtëzakonshëm, të marrin në dorë fatet e tyre, nuk kanë nga të presin”.

Duke shprehur mirënjohjen për dëshmorët që kanë luftuar për çlirimin e vendit, kreu i shtetit solli në vëmendje shkrimet e Margarita Tutulanit, si një mesazh për edukimin patriotik të të rinjve.

“Përkulemi para Qemal Stafës, Vojo Kushit dhe Margarita Tutulanit dhe yjeve e margaritarëve që dhanë jetën për të treguar pavdekësinë e Shqipërisë si shtet i lirë dhe i pavarur dhe sot me kujtohen ato që i shkruante Margarita Tutulani vëllait të saj, i cili e pyeste; motër, po për çfarë na duhet atdheu? Ajo i përgjigjej: Vëllaçko na duhet që të jemi të lirë. Ky mesazh vjen nga një edukim patriotik i të rinjve dhe të rejave dhe sot jo vetëm t’ i kujtojmë këta dëshmorë e veteranë që kanë luftuar për çlirimin, por edhe t’i kushtojmë rëndësi edukimit patriotik të të rinjve”.

I pyetur në lidhje me debatin për datën e çlirimit, Meta u përgjigj se 29 nëntori është miratuar nga historia dhe asnjë përpjekje nuk mund të eklipsojë Luftën Nacional-Çlirimtare.

“Për mua nuk ekziston një debat për datat. Data 29 nëntor është datë e provuar, e argumentuar qartë nga historia dhe nuk dua të marr këtë rol, nuk ka asnjë përpjekje që mund të eklipsojë Luftën Nacional Çlirimtare. Një pjesë e madhe u pushkatuan se kishin qëllime të tjera të kundërta me pushtetin. Ka qenë një luftë që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. Edhe sot ekzistojnë ligje absurde lufte për Shqipërinë. Falë gjakut e sakrificave shpëtuam shtetin tonë dhe të gjithë duhet të jemi mirënjohës për atë epope të shkruar me gjak”.