Ekonomi Shqiptarët të pakënaqur nga puna, paguhen pak e punojnë edhe në fundjavë

Shqiptarët të pakënaqur nga puna, paguhen pak e punojnë edhe në fundjavë

60% e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë janë të pakënaqur me punën e tyre. Sipas një sondazhi EP & Partners Consultancy ku morrën pjesë e 1 528 persona me pozicione pune në qytetet të ndryshme të dy vendeve, rezulton se 51 përqind e te anketuarve janë të pakënaqur, 9 përqind shumë të pakënaqur, 32 përqind të kënaqur dhe 8 përqind shumë të kënaqur.

Çdo pjesëmarrës iu përgjigj 19 pyetjeve, nga të cilat 8 kishin të bënin me të dhëna klasifikuese dhe 11 me perceptimin e të anketuarve mbi punën.

Pjesëmarrësit në sondazhin e realizuar në Shqipëri dhe Kosovë, u pyetën se sa të kënaqur ishin nga puna aktuale dhe sa mundësi kishte që brenda një viti të kërkonin punë diku tjetër.

Kënaqësia është më e lartë mes punonjësve me paga të mesme e të larta, punonjësve me përvojë dhe atyre që banojnë në Kosovë.

Kurse pakënaqësia është më e lartë mes punonjësve me paga të ulëta, të punësuarit me kohë të pjesshme dhe kryesisht grupmoshës 30 – 39 vjec.

57% po shohin mundësi të ndërrojnë punën në vitin e ardhshëm, kryesisht për një pagë më të lartë, dhe mundësi karriere.

Pjesëmarrësit u pyetën se sa të angazhuar ndihen ata me punën, ku rezultoi se vetëm 39.5 % e punonjësve në Shqipëri dhe Kosovë ndjehen të angazhuar në punë, pasi pjesa më e madhe e punonjësve ndjehen të pavlerësuar për punën që kryejnë, pa mundësi për rritje profesionale dhe karrierë, si edhe me besim të ulët tek kolegët dhe veçanërisht eprorët.

Gjithashtu, dukuri serioze që u vu re në sondazh ishte puna gjatë fundjavës / festave zyrtare. Konkretisht 72% e punonjësve të punësuar në kompani private deklarojnë se punojnë në fundjavë dhe/ose gjatë festave zyrtare. Ndër ta 24% deklarojnë që ndodh gjithmonë, 17% shpesh dhe 31% ndonjëherë. Në institucione publike ndodh më rrallë, konkretisht në 55% të rasteve dhe në vetëm 5% të rasteve, gjithmonë.