Aktualitet Shqiptari i vetëm në listën e Europol, kush Aleks Burreli që ekzekutoi...

Shqiptari i vetëm në listën e Europol, kush Aleks Burreli që ekzekutoi biznesmenin qipriot

Një 52-vjeçar është shqiptari i vetëm që kërkohet nga policitë e Europolit. Bëhet fjalë për Gani alias Aleks Burreli, i cili është shpallur në kërkim nga autoritetet qipriote.

Emri i Aleks Burrelit, ndodhet në një listë mes 56 kriminelëve më të kërkuar nga policitë e vendeve të Bashkimit Evropian.

52-vjeçari kërkohet si autor i vrasjes së biznesmenit 51-vjeçar Fanos Kalopsidiotis, ngjarje e ndodhur më 23 qershor të vitit 2016 rreth orës 10 të darkës.

Burreli hyri brenda restorantit “Aya Napa”, ndërsa u afrua tek tavolina ku darkonte 51-vjeçari.

Nga të shtënat me armë krahas biznesmenit mbetën të vdekur dhe dy nga policët që e shoqëronin (burrë e grua), të cilët u qëlluan në prani të dy fëmijëve të mitur.

Nga të shtënat dy persona të tjerë u plagosën, njëri oficer policie, ndërsa tjetri qytetar i cili ndodhej i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Në këtë atentat, mbeti i vrarë dhe bashkëpunëtori në krim, Jani Vogli, 41 vjeç.

Sipas policisë, në atë kohë Burreli dhe miku i tij Jani Vogli, kanë vepruar si vrasës me pagesë.

Burreli mundi të largohet nga vendngjarja me një automjet, i cili më pas u gjet i djegur.

Prej asaj dite policia qipriote dhe ajo greke nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë gjurmë të vendndodhjes së tij.

Sipas autoriteteve dyshohet se Burreli ka kryer dhe vrasje të tjera për llogari të grupeve kriminale që porositën vrasjen e biznesmenit 51-vjeçar Kalopsidiotis.

Tashmë emri i shqiptarit ndodhet mes listës së kriminelëve më të kërkuar të Europës, ku radhiten dhe bosët e mafias italiane, Matteo Messina Denaro.