Kryesore Shqiptari më i pasur i Maqedonisë dhe shqiptari më i suksesshëm politik...

Shqiptari më i pasur i Maqedonisë dhe shqiptari më i suksesshëm politik në SHBA: Të kemi një vizion

Ka nisur paraditen e kësaj të premteje në Tiranë Samiti i dytë i Diasporës, ku nën atmosferën e rënduar politike janë dhënë mesazhet e para “patriotike” për tejkalimin e krizës në interes të kombit.

Lazim Destani

Ka qenë shqiptari më i pasur i Maqedonisë e një ndër më të pasurit e botës shqiptare, Lazim Destani, ai që në fjalën e vet përshëndetëse apeloi që “interesat politike e partiake duhet të tejkalohen për hir të kombit”.

Duke bërë thirrje për investime të fuqishme të diasporës në Shqipëri e Kosovë, Destani tha se “zhvillimi ekonomik i vendit tonë është me rëndësi parësore për të ardhmen e kombit shqiptar në rajon”.

Mark Gjonaj

Nga ana tjetër, shqiptari nga Ulqini, shqiptari i zgjedhur në postin më të lartë politik në SHBA, Mark Gjonaj ka një mesazh për politikën shqiptare: “Çfarë ndodh në Shqipëri ka efekt tek ne shqiptarët kudo në botë. Ne kemi dëshirë që të stabilizohet puna në Shqipëri. Duhet të bëhet Shqipëria dhe Kosova së bashku. Të dalim në një vizion, në një qëndrim, në një zë, që të gjithë bashkë të bashkohemi. Ne e shohim kur punojnë së bashku shqiptarët çfarë realizojnë”.