Kryesore Shqiptari nga partia e Erdoganit zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit

Shqiptari nga partia e Erdoganit zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit

Në Parlamentin turk është votuar sot për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni dhe fitues është shpallur me shumicë votash, Mustafa Şentop nga Partia AKP e Presidentit Rexhep Tahip Erdogan.

Şentop mori 336 nga 600 vota, duke u bërë kështu kryeparlamentari i ri i Turqisë.

Por ajo çka është më interesante për 50-vjeçarin, është origjina e tij shqiptare.

Sentop u lind në Tekirdag më 6 gusht 1968 nga një familje shqiptare që kishte emigruar më herët në Turqi.

Mustafa Şentop u diplomua nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Stambollit dhe mori një diplomë masteri dhe doktoratë në fushën e të drejtës publike në Universitetin Marmara.

Në vitin 1993, ai filloi të punonte si anëtar i stafit mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit Marmara. Ai u bë doktor shkencash në vitin 2002, docent në vitin 2005 dhe profesor në vitin 2011.

Ai gjithashtu ka mbajtur ligjërata në Universitetin Fatih, Universitetin Maltepe, Universitetin Işık, Universitetin Doğuş dhe Universitetin e Tregtisë së Stambollit.

Sentop gjithashtu shërbeu si President i Qendrës së Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale (ESAM) Dega e Stambollit, ndërsa është i martuar me katër fëmijë.

Kryeparlamentari i ri gjithashtu ka shërbyer si deputet në distriktin e tretë elektoral të Stambollit që nga 12 qershori 2011. Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2011 dhe u rizgjodh në qershor të vitit 2015.

Ndërmjet 2012 dhe 2015 ai shërbeu si nënkryetar i AKP, me përgjegjësi për fushatat zgjedhore.

Ndërkohë me zgjedhjen e tij si Kryeparlamentar, tashmë 4 parlamente në Europë drejtohen nga shqiptarë.

Şentop drejton parlamentin e Turqisë, Gramoz Ruçi është në krye të parlamentit të Shqipërisë, Kadri Veseli drejton parlamentin e Kosovës, ndërsa Talat Xhaferi është kryetar i legjislativit të Maqedonisë.