Opinione Shtëpia ime është shtëpi lutjesh

Shtëpia ime është shtëpi lutjesh

Nga Miron Çako*

Duke ndjekur me shqetësim situatën e vështirë që po kalon vendi në këtë problem pa zgjidhje për zgjedhjet vendore, jo vetëm si shtetas, por dhe si besimtarë orthodhoksë i lutemi Zotit çdo ditë që të ndriçojë të gjithë aktorët përgjegjës për situatën, që të tregohen vërtetë burra shteti dhe të zgjidhin sa më paqësisht me urtësi dhe largpamësi këtë situatë, që ka sjellë në përplasje institucionet shtetërore, partitë politike dhe duke e ndarë dhe përçarë më dysh shoqërinë në vendin tonë të vogël.

Kjo është shprehur edhe në deklaratën publike që Kisha Orthodhokse ka bërë për situatën më datë 02.06.2019: “Prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë”.

Duke respektuar te drejtën e çdokujt për të bërë po apo jo fushatë elektorale në vende publike, apo të përshtatshme për të tilla punë, vërejmë me keqardhje se këto ditë po përdoren edhe Kishat Orthodhokse në funksion të fushatës elektorale nga kandidatët e përzgjedhur për kryetar bashkie të Partisë Socialiste, më konkretisht znj.Majlinda Bufi Kryetare Bashkisë Roskovec ka bërë një intervistë në kishën e shën Nikollës në Kurja të Rroskovecit dhez.Tërmet PeçiKryetar Bashkie i Tepelenës në kishën e fshatit Lekël.

Këto biseda dhe takime elektorale janë bërë jo thjeshtë në ambientet e jashtme të kishës, por brenda në tempull, përpara altarit të shenjtë, në vendin ku populli qëndron për t’iu lutur Zotit.

Kjo fushatë dhe propagandë elektorale brenda tempullit fyen shenjtërinë e vendit dhebie ndesh me kanunet kishtare të Kishës Orthodhokse duke u cilësuar si sakrilegj, sepse kisha nuk është një arenë politike, “por shtëpia e Perëndisë” (Heb 10:21), vend lutjesh për të gjithë ata që duan të pajtohen me Zotin, me të afërmin madje edhe me armikun.

Kisha nuk bëhet palë më asnjë qeveri,parti apo koalicion partish,por i lutet Zotit për presidentin,kryeministrin, ushtrinë e çdo vendi dhe në çdo kohë, që ata persona të zgjedhur me votën e popullit të kryejnë detyrën që Zoti i Gjithëpushteshmi ua ka dhënë për të mirën e popullit: “sepse çdo pushtet vjen prej së larti” (Romakve 13:1) dhe çdo pushtet tokësor i nënshtrohet pushtetit qiellor.

Vërtetë qeveria e “Rilindjes” nëpërmjet Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka restauruar disa kisha monumente kulture, por kjo nuk e bën aspak qeverinë pronare të ligjshme dhe që mund të bëjë çfarë të dojë me këto objekte kulti të shenjta, pasuri e patundshme dhe shekullore e KOASH-IT, ashtu siç ka ndodhur në mënyrë të përsëritur në disa kisha monumete kulture të restauruara, ku pa dijeninë e Kishës Orthodhokse janë kryer aktivitete nga Ministria e Kulturës  të cilat nuk i përshtaten shenjtërisë së vendit dhe për këto raste të përsëritura Kisha Orthodhokse ka reaguar gjithmonë.

Është mirë që sa më shpejtë ata që janë përgjegjës për këto veprime të fundit arrogante në kufijtë e sakrilegjit t’i  kërkojnë falje Komunitetit Orthodhokse  dhe të përpiqen maksimalisht për të mos e përsëritur më.

Në të kundërtën e gjitha kjo po na risjell në kujtesë ne besimtarëve, por edhe gjithë popullit ndërhyrjet brutale të shtetit ateist-komunist mbi kishat dhe tempujt fetarë, duke i tjetërsuar ato në shtëpi kulture, kinema në dhe çdo formë tjetër për propagandën ateiste-komuniste.

Duhet patur kujdes sepse historitë e harruara rrezikojnë të përsëriten.

Si shqiptar, shtetar, dhe popull i thjeshtë duhet të bëjmë kujdes në lidhje me shenjtërinë e vendeve të kultit, sepse kemi bërë një gabim popullor jo shumë vite më parë,që pati shumë kosto të cilat duket akoma nuk i kemi shlyerdhe jemi në borxh akoma me Zotin,sepse aktualisht pronat të komuniteteve fetare edhe atij orthodhoks mbahen arbitrarisht nga shteti.

Në qoftë se përsëriten po ato veprime sakrilegje si më parë është një faj i pajustifikueshëm për ata që me arrogancën e keqpërdorimit të pushtetit laik na i rishfaqin dhe po heshtëm dhe nuk reagojmë në mënyrë qytetare është një faj kolektiv.

Së fundi Kisha Orthodhokse është: “trupi i Krishti dhe Ai kreu i saj”. (Kolosianve 1:18)Zoti Jisu Krisht edhe psepaqësor kur pa që populli i pabesë i përkrahur nga krerët përdhoste Tempullin e shenjtë në Jeruzalem ai mori një kamzhik më dorë përmbysi gjithçka fyese për vendin dhe u tha me zemërim atyre që ishin përgjegjës për gjendjen: “Është shkruar: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje”, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh”. (Mateu 21:13)

Zoti na ruajtë nga mëkate të tilla.

*Përgjegjës i Zyrës Së Katekizmit pranë kryepeshkopatës KOASH-it.