Kulturë “Shteti i terrorit”, Hillary Clinton shkruan romanin e saj të parë

“Shteti i terrorit”, Hillary Clinton shkruan romanin e saj të parë

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është duke përfunduar shkrimin e romanit të saj të parë. Clinton për këtë roman ka bashkëpunuar me shkrimtaren kanadeze, Louise Penny, e cila njihet për stilin e saj triller.

I këtij zhanri do të jetë dhe romani i parë i politikanes së njohur nga SHBA dhe do të titullohet “State of terror” (Shteti i terrorit).

Deri tani mësohet se romani është i fokusuar tek eksplorim i botës “së diplomacisë së rrezikshme dhe të tradhtisë”. Clinton në një deklaratë bashkëpunimin me shkrimtaren Penny e quajti si një ëndërr të bërë realitet.

Ndërkohë shkrimtarja nga Kanadaja ka treguar eksperiencën e saj për shkrimin e këtij romani. Ajo tha se ka qenë “një përvojë e pabesueshme hyrja brenda Departamentit të Shtetit, brenda Shtëpisë së Bardhë dhe brenda mendjes së sekretares së Shtetit, derisa shpërthejnë kriza me rreziqe të mëdha”.

Libri do të botohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën nga Pan Macmillan, dhe nga Simon & Schuster dhe St Martin’s Press në SHBA.

Clinton, e cila ka qenë edhe kandidate për presidente, edhe Zonjë e Parë, është autore e disa punimeve jofiktive. Në vitin 2017 ajo shkroi një libër për dështimin e saj në garën për Presidente dhe arriti të shiste qindra mijëra kopje në pak ditë.