Kosova Shtimi i rasteve me COVID-19, Kosova rikthen masat kufizuese

Shtimi i rasteve me COVID-19, Kosova rikthen masat kufizuese

Pas shtimit të rasteve me COVID-19, qeveria e Kosovës ka vendosur disa masa kufizuese në qytetet më të prekura. Kryeministri, Avdullah Hoti pas një takimi me drejtues të institucioneve të shëndetësisë, bëri të ditur se duke nisur nga sot në Prishtinë, Prizren, Freizaj dhe Vushtri do të kufizohet lëvizja nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

“Në qytetet ku ka numër të madh të të infektuarve, duke filluar nga sonte, si në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Prishtinë do të kufizohet lëvizja prej orës 21:00 deri 05:00. Do të shtojmë ose heqim qytete nga kjo listë. Sa i përket institucioneve, do të punohet vetëm me staf të domosdoshëm. Në shërbimet shëndetësore do të reduktohen ato shërbime jo të domosdoshme”, u shpreh Hoti.

Gjithashtu kreu i qeverisë foli edhe për rritje e kapacitetet për testimet ditore si dhe kryerjen e testeve virologjike. Por, gjithashtu qeveria e Kosovës do të marrë masa për të shtuar kapacitet spitalore për të infektuarit me koronavirus duke kthyer klinikat private në spitale si dhe duke shtuar personelin mjekësor.

“Është përgatitur një plan i veprimit, i cili sonte miratohet në qeveri, që specifikon në detaje se cilat veprime do t’i marrin institucionet shëndetësore dhe me ato do të kalojë në këto vendime. E para, do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje. Duke ndryshuar dhe bazën ligjore që klinikat private të shndërrohen në spitale që dërgohen nga QKUK. E dyta, do të marrin personel shtesë shëndetësor, duke riorganizuar dhe shtuar ata.

E treta, do të shtohen kapacitetet që të bëhen deri në 500 teste brenda ditës dhe të krijomë kapacitete që të testojmë në qendrat rajonale. Brenda javës do të licencojmë klinikat private që të kryejnë teste virologjike dhe do të blejmë mbi 100 mijë teste. E katërta, do të angazhohen buxhet shtesë për 100 mijë teste dhe vaksina sezonale deri në 500 mijë. Për të blerë 7 aparatura shtesë për testime”, tha Hoti.