Ekonomi Shtohen shpenzimet/ INSTAT: Një familje shpenzon rreth 75 mijë lekë në muaj...

Shtohen shpenzimet/ INSTAT: Një familje shpenzon rreth 75 mijë lekë në muaj për konsum

Një familje shqiptare e përbërë nga 3.7 vetë shpenzoi mesatarisht 75 mijë e 935 lekë në muaj për konsum gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat janë bërë publike nga Instituti I Statistikave në Anketën e Buxhetit të Familjeve.

Sipas INSTAT krahasuar me një vit më parë, shpenzimet familjare për konsum janë rritur me 3.5 për qind në terma monetarë, por nëse zhvishen nga efekti i inflacionit atëherë rritja reale rezulton vetëm 1.5 për qind.

Të dhënat nga anketa tregojnë se në rang qarqesh Shqipëria është e pabarabartë. Niveli më i lartë i jetesës në vend regjistrohet në Tiranë, ku një familje shpenzon për konsum mesatarisht 88 mijë e 600 lekë në muaj, ndërsa qarku më i varfër rezulton Dibra, ku shpenzimet familjare për konsum janë vetëm 58 mijë e 460 lekë.

Megjithatë sipas INSTAT krahasuar më një vit më parë niveli i pabarazisë në Shqipëri është ulur. Kjo pasi diferenca në konsum mes familjeve të pasura dhe atyre të varfra është ngushtuar.

Por për çfarë i shpenzojnë paratë e tyre shqiptarët? Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve shqiptare ose 44 përqind, shkon për ushqim. Kjo është një nga normat më të larta në Evropë, gati 4 herë më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian, çka tregon dhe nivelin e ulët të të ardhurave në Shqipëri.

Pas ushqimeve, zëri i dytë që merr pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare për konsum është strehimi dhe faturat e utiliteteve publike si energjia apo uji me 10.5 për qind, ndërsa në vendin e tretë renditet shpenzimet për transport me 6.8 për qind.