Kryesore Shtyhet me dy muaj afati i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit...

Shtyhet me dy muaj afati i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta

Shtyhet me dy muaj afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta. Kërkesa u miratua me 7 vota pro dhe 2 kundër. Kjo kërkesë do t’i kalojë Kuvendit, për miratim në seancën e datës 3 tetor.

“Jemi dakordësuar që në fillim që ky komision dot ë presë opinionin e Komisionit të Venecias, sepse jemi dakordësuar bashkërisht që Komisioni i Venecias të në ofrojë ekspertizën e nivelit më të lartë. Meqë veprimtaria e këtij Komisionit mbaron në datën 8 tetor, lind nevoja që ne ti drejtohemi Kuvendit për të patur një afat shtesë që ky komision të përfundojë me sukses detyrën që i ka ngarkuar Kuvendi. Unë kam propozuar që zgjatja të jetë prej dy muajsh. Por mund të jetë afat më i shkurtër ose më i gjatë, këtë ta vendosim bashkërisht”, tha Manja.

Ndërsa Kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka kërkuar që Komisionit Hetimor për Presidentin Meta të mos ekzistojë, pasi nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të Presidentit.

“Unë gjykoj se ky komision nuk duhet të ekzistojë sepse nuk ka elementët e duhur për të ndjekur një procedurë ndaj hetimit të presidentit sepse nuk kemi shkelje të rëndë. Pra jo për ta shtyrë afatin, por nuk kemi një shkelje të rëndë që fajëson presidentin sepse presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi, apo prek interesat e shqiptarëve”, tha ai.

Komisioni hetimor  u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën për zgjatjen e mandatit të komisionit, në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias.