Kryesore Shtyrja e negociatave në shtator, Rama: Problemi i Gjermanisë, koha fizike

Shtyrja e negociatave në shtator, Rama: Problemi i Gjermanisë, koha fizike

Negociatat me Bashkimin Europian shtyhen në shtator. Kryeministri Rama thotë se i vetmi problem është mungesa e kohës fizike nga Gjermania, e cila pret një vendim pozitiv nga Merkel e Macron.

Kreu i qeverisë përsëriti se zgjedhjet në 30 qershor do të mbahen dhe opozita, sipas tij, po shkon drejt shkatërrimit dhe izolimit total.

“Sot kemi marrëdhëniet më të mira të respektit dhe të miqësisë me Francën dhe me Gjermaninë, të cilat, kam shumë besim, që nuk do të na e mbyllin derën e asaj paradhome këtë vit. Jo vetëm që nuk bëhet llaf që të na kenë thënë se Shqipëria e ka derën e mbyllur, por na kanë siguruar disponimin e tyre shumë pozitiv në njohjen e meritës së Shqipërisë përmes zyrtarizmit të çeljes së negociatave. I vetmi problem i miqve gjermanë është se koha fizike për procedurën e diskutimit në Bundestag nga data e daljes së rekomandimit të komisionit në fund të majit, në ditën e vendimmarrjes në Këshilli më 21 qershor është tejet e shkurtër. Për të gjithë ata që duan të kuptojnë, pse komisioni Europian vendosi këtë vit në mënyrë të veçantë që ta nxjerrë raportin në fund të majit, për të mos e nxjerrë gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Gjithashtu, për të mos e kthyer rekomandimin e pritshëm pozitiv në një mish për top për fushatat elektorale në ato vende, ku qartësisht, problemi nuk është marrëdhënie e miqësisë dhe e respektit me Shqipërinë, por dinamika e brendshme elektorale dhe politike. Prandaj është folur për shtatorin nga pala gjermane dhe kurrsesi për mos çeljen e negociatave e negociatave për ndonjë arsye që lidhet me Shqipërinë.

Kujtonin se do të hutonin dhe tronditnin Europën dhe Amerikën duke veshur jelekët e destabilizatorit të Shqipërisë në emër të luftës me narko-qeverinë e vendit të tyre, por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin. U gënjen mendja se do të ndalojnë Shqipërinë të bëjë zgjedhje vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta sepse ende kujtojnë, mesa duket, se do të gjejnë budallenj që të shkojnë me këmbët e tyre burgjeve pasi të sulmojnë kutitë e votimit për llogari të gramafonit të Lulit dhe filxhanit të Monikës”, u shpreh kryeministri Rama.