Kryesore Shtyrja e zgjedhjeve, Meta: Kur ka pasur vullnet, gjithmonë janë gjetur zgjidhje

Shtyrja e zgjedhjeve, Meta: Kur ka pasur vullnet, gjithmonë janë gjetur zgjidhje

Presidenti Ilir Meta pret reflektim nga qeveria dhe opozita në Shqipëri, në një kohë që pritet të diskutohet çelja e negociatave me BE-në.

Nga Berlini, ku mori pjesë në mëngjesin e lutjeve, Kreu i Shtetit u shpreh se situata politike në Shqipëri është një situatë jofavorizuese, por kërkohet sa më shpejt të jetë e mundur që të vendoset dialogu politik.

Sa i përket përgjimeve të dosjes 339, të publikuara nga Bild, Meta tha se kjo nuk ka qenë temë e bisedave në Gjermani.

Meta: Natyrisht ka qenë temë angazhimi i vendosur për të përmbushur të gjitha pritmëritë në fushën e sundimit të ligjit, dhe së dyti rëndësia e jashtëzakonshme që kanë standardet demokratike të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe kuptohet edhe ndëshkimi i gjithë personave përgjegjës apo të dyshuar për cënimin e integritetit të zgjedhjeve në të kaluarën.

Në këtë situatë, Presidenti nuk shikon pika takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kret të PD-së Lulzim Basha.

Meta: Unë në mënyrë të vazhdueshme kam nxitur vendosjen e dialogut, por për fat të keq të dy palët kanë vendosur disa kushte që e kanë bërë të pamundur një tryezë apo një takim zyrtar, pasi kryeministri Rama dhe kryetar i Partisë Socialiste, ashtu sikurse kam ndjekur edhe mbrëmë, do doja shumë të isha korrekt, ka qenë qartesisht refuzues për rishikimin e datës me mirëkuptim midis dy palëve për të garantuar zgjedhje gjithëperfshirëse demokratike. Ashtu sikurse edhe zoti Basha dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës kanë vendosur si parakusht që zoti Rama të mos jetë në një tryezë të tillë në cilësinë e Kryeministrit. Megjithatë, përpjekjet e mia do të jenë të palodhura.

Kreu i Shtetit ka shmangur përgjigjen për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por kujton se kur ka patur vullnet të mirë gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura.

Meta: Nuk do të dëshiroja të shprehesha sot për këtë çështje. Ne i dime edhe përvojat e mëparshme që vendi ynë ka pasur kur ka ekzistuar vullneti dhe përgjegjshmëria për stabilitetin e vendit, për të ardhmen e tij demokratike dhe plotësisht europiane, gjithnjë janë gjetur zgjidhje të mençura. Dhe në këtë drejtim unë nuk do të ndaloj së angazhuari institucionin e presidentit dhe natyrisht personalisht deri në fund për të shmangur çdo alternativë që nuk i shërben jo vetëm stabilitetit të vendit por edhe e largon në horizonte të padukshme mundësinë e çeljes së negociatave apo anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Unë besoj se të dy palët kanë për detyrë t’i përgjigjen vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, i cili është në shifra të jashtëzakonshme mbi 90 e ca përqind, për t’ i dhënë këtë mundësi historike Shqipërisë që të çeli së afërmi negociatat me Bashkimin Europian dhe unë besoj, se nëse kjo gatishmëri nga të dy palët do të reflektohet në orët dhe ditët që vijnë, edhe mbështetja nga Bundestagu do të jetë e plotë dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kurorëzimin me sukses të këtij qëllimi madhor për vendin tonë.

Një ditë para protestës, Meta i bën thirrje opozitës për vetëpërmbjatje.

Meta: Do të apeloja për udhëheqësit e opozitës që të marrin të gjitha përgjegjësitë për të garantuar një manifestim të standardeve europiane, të mos provokohen nga askush brenda tyre por edhe përballë tyre, në këto orë në këto ditë të rëndësishme për vendin tonë.

Presidenti i Republikës i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë që të demonstrojë maturi, pasi çdo orë dhe çdo ditë e fituar e bën shumë të afërt çeljen e negociatave për Shqipërinë.