Kryesore Shuhet ish-ministri amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld

Shuhet ish-ministri amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld

Donald Rumsfeld ka ndërruar jetë në moshën 88 vjeçare. Republikani Rumsfeld ka qenë kreu i Pentagonit nga viti 2001-2006 nën presidentin George W. Bush dhe strategu i luftës në Irak.

Për herë të parë Donald Rumsfeld u ngjit në postin e ministrit të Mbrojtjes në vitet 1975-1977, asokohe kreu më i ri i Pentagonit në historinë amerikane. Kurse në kabinetin e presidentit George W. Bush, Rumsfeld ishte ministri më i moshuar i Mbrojtjes. Këtë kohë ai ka qenë edhe strategu i luftës amerikane në Irak. Në mandatin e Rumsfeldit u zhvillua edhe pushtimi amerikan në Afganistan, si reagim pas sulmeve të 11 Shtatorit në Nju Jork.

Në lidhje me luftën në Irak, Rumsfeld u dorëhoq nga posti i ministrit pas një humbjeje te ndjeshme të republikanëve në zgjedhjet e kongresit në vitin 2006. Senati Amerikan akuzoi Donald Rumslfed në vitin 2008 për bashkëpërgjegjësi në shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet amerikane në Irak. Sidomos skandali me ushtarët amerikanë në burgun Abur Greib afër Bagdadit i dëmtoi shumë imazhin e Rumsfeld. Po ashtu atë e rëndoi edhe akuza, se me miratimin e “teknikave agresive të hetimit” në vitin 2002 të përdorura kundër terroristëve të dyshuar në burgun e Guantanamos ka kontribuar në keqtrajtimet e mëvonshme.

Ish-presidenti George W. Bush vlerëson Rumsfeld

Republikani është cilësuar nga kritikët e tij si luftënxitës. Ish-senatori amerikan John McCain tha në vitin 2007 për kolegun e partisë së tij se ai “do të hyjë në histori si një nga ministrat më të këqinj të mbrojtjes”. Edhe ish-presidenti amerikan, George H. W. Bush është shprehur për Rumsfeld si një “burrë arrogant”, që nuk ka shërbyer mirë në mandatin e djalit të tij, presidentit Bush. Kurse ish-presidenti i ri, George W. Bush e vlerësoi Donald Rumsfeld pas lajmit të vdekjes, si një njeri inteligjent dhe me integritet, me energji të pafund, që nuk i bënte bisht asnjëherë vendimeve të vështira dhe përgjegjësisë.

Tek partnerët europianë, Donald Rumslfed nuk gëzonte imazh të mirë, për shkak të kategorizimit të aleatëve si Gjermania dhe Franca si “Europa e vjetër”, të dyja vendet ishin atëherë të vendosura kundër luftës në Irak.

Mbështetës i Shqipërisë

Donald Ramsfeld njihej si një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për këtë u vlerësua nga ish-presidenti Bujar Nishani në 2013-ën me dekoratën e Flamurit kombëtar. Lidhjen e tij me Shqipërinë ai e pohoi disa herë.

Në 17 qershor 2013, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka dekoruar Donald Rumsfeld me Medaljen e Flamurit, në shenjë “mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm dhe mbështetjen e fuqishme për reformimin, fuqizimin dhe modernizimin e Forcave Ushtarake të Shqipërisë dhe në procesin e pranimit të Shqipërisë në NATO”.

Ai e vizitoi disa herë Shqipërinë, e fundit ishte në vitin 2013 kur inauguroi edhe librin e tij në gjuhën shqipe. Donald Rumsfeld ndërroi jetë pranë familjes së tij.