Kryesore Shuhet legjenda e boksit, Ahmet Golemi

Shuhet legjenda e boksit, Ahmet Golemi

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare një nga boksierët më të mirë shqiptarë, Ahmet Golemi. Lajmin e bëri të ditur mëngjesin e sotëm i biri përmes rrjeteve sociale.

Ai është shpallur 5 herë kampion i peshës së tij në vendin tonë. Golemi do mbahet mend gjatë për kontributin e dhënë në boks derisa regjimi i asaj kohe e ndaloi si sport, por edhe për dënimin e paprecedentë të bërë në kohën e komunizmit për agjitacion dhe propagandë.

Pas viteve 90′ ai kujtohet për komentimin e ndeshjeve të boksit dhe zërin e tij kumbues, duke qenë padyshim komentatori më i mirë i boksit në vend dhe merituar çmimin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti.

Edhe presidenti Ilir Meta përmes rrjeteve sociale ka reaguar lidhur me lajmin e ndarjes nga jeta të ish-kampionit të boksit.

“Pionier i boksit tonë profesionist, pesë herë kampion dhe katër herë nënkampion, ai sfidoi në “duel” edhe vetë regjimin në emër të mbrojtjes së pasionit të tij, për t’u ringritur sërish më i fortë si shkrimtar i talentuar, gazetar dhe komentator i papërsëritshëm dhe shumë i dashur sportiv.

Mjeshtri i Madh Ahmet Golemi do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë, intelektual i rrallë dhe qytetar aktiv, roli i të cilit në çdo pozitë që luajti dhe mbajti, vështirë të zëvendësohet”, shkruan mes të tjerash kreu i shtetit.