Kulturë Shuhet Meat Loaf, kush ishte rebeli i muzikës që suksesi e falimentoi

Shuhet Meat Loaf, kush ishte rebeli i muzikës që suksesi e falimentoi

Prej vitesh muzika kishte humbur zërin e tij, ndërsa tashmë Meat Loaf iku edhe fizikisht. Këngëtari, albumi i të cilit “Bat Out Of Hell” është një nga më të shiturit të të gjitha kohërave ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar në faqen e tij në Facebook nga familjarët e këngëtarit.

“Zemërthyer ju njoftojmë se i pakrahasueshmi Meat Loaf ndërroi jetë me gruan e tij Deborah në krah”, thuhet në një mesazh.

“Vajzat Pearl dhe Amanda dhe miqtë e ngushtë kanë qenë me të gjatë 24 orëve të fundit”, vijonte mesazhi.

Loaf shiti mbi 100 milionë albume në mbarë botën, ndërsa është shfaqur edhe në filma si Fight Club, Rocky Horror Picture Show dhe Wayne’s World.

Këngëtari i lindur në Dallas me emrin Marvin Lee Aday, por i njohur gjithashtu si Michael shpërtheu në famë me triologjinë e tij “Bat Out Of Hell”, duke shitur miliona albume në mbarë botën. Ai publikoi një varg albumesh të tjera në fund të viteve 1970 dhe 1980, më të shquarit “Dead Ringer” dhe “Midnight at the Lost and Found”.

Këngëtarja Cher, e cila bëri duet me të në këngën e vitit 1981, “Dead Ringer for Love”, kujtoi me nostalgji.

Në vitet ’90, hiti i tij “I’d Do Anything For Love (But I Won’t Do That)” ishte ndër këngët hit global, duke i dhënë atij edhe një çmim Grammy.

Në ekran, ai luajti Eddie në filmin muzikor të vitit 1975, The Rocky Horror Picture Show, ishte gënjeshtari Tiny në Wayne’s World të vitit 1992 dhe u shfaq përballë Brad Pitt si bodybuilder, Robert Paulsen në Fight Club të 1999-ës.

“Bat Out Of Hell”, i cili mbetet një nga 10 albumet më të shitura të historisë së muzikës, së bashku me albumet e Michael Jackson, Whitney Houston dhe “Eagles”, u përshtat gjithashtu si një muzikal skenik, i shkruar nga Jim Steinman, bashkëpunëtori për një kohë të gjatë i Meat Loaf.

I lindur në një familje këngëtarësh të ungjillit, ai u bashkua me Jim Steinman. Së bashku, ata kaluan katër vjet për të realizuar “Bat Out Of Hell”.

Shtëpitë diskografike e nënvlerësuan albumin që u refuzua nga katër prej tyre. Por pas dy shfaqjeve shpërthyese televizive në “Old Grey Whistle Test” në Mbretërinë e Bashkuar dhe në “America’s Saturday Night Live”, suksesi ishte i pashmangshëm. Vetëm ky album është shitur mbi 43 milionë herë në mbarë botën.

Por, pavarësisht këtij suksesi, kontrata e nënshkruar nga këngëtari nuk i jepte asnjë të ardhur për vite me radhë, duke e detyruar Meat Loaf të shpallte falimentimin.

Në një intervistë, ai rrëfeu se ishte aq i nevrikosur nga kjo situatë, saqë do të tërhiqte kopjet e CD-së nga raftet e dyqaneve diskografike dhe do t’i thyente ato nën këmbë për t’u siguruar që askush tjetër të mos paguhej.

Por karriera e tij u rimëkëmb në vitet 1990 kur u bashkua përsëri me Steinman për “Bat Out Of Hell II”, pjesë e të cilit ishte edhe hiti “I Would Do Anything For Love (But I Won’t Do That)”, që dominoi për javë me radhë top listat muzikore në Britani dhe SHBA dhe kolonë zanore e filmit të famshëm, “The Bodyguard” me Kevin Costner dhe Whitney Houston.