Aktualitet Shuhet në moshën 46-vjeçare Hueyda El Saied

Shuhet në moshën 46-vjeçare Hueyda El Saied

Artistja shqiptare Hueyda El Saied është shuar në moshën 46-vjeçare. Lajmin e konfirmoi në një postim në rrjetet sociale Bledi Strakosha.

“Hueyda zemër, me ç’lajm të trishtë u zgjova sot. Ke qenë gjithnjë një engjëll në Tokë, tani edhe në parajsë.”

E lindur në Shqipëri dhe me origjinë nga Sudani, El Saied jetonte prej vitesh tashmë në Luksemburg me bashkëshortin Tiery dhe djalin e vogël, Gabriel.

Hueyda El Saied ishte një figurë tejet e njohur për publikun shqiptar. Ajo ishte një artiste multidimensionale: Prezantuese, balerinë, këngëtare, piktore e madje edhe shkrimtare.

El Saied mësohet se vuante nga një sëmundje e rëndë, me të cilën nuk mundi ta fitonte betejën.

Gabriel është djali i parë i Hyedës, i cili lindi më 11 Janar 2015 nga lidhja e saj me francezin Michael Tamisier me të cilin u nda në vitin 2017. Me të Hueyda ishte rreth 5 vite që e njihte dhe 3 vite që bashkëjetonte. Ndarja e tyre u komentua gjatë ne media pasi ishte vetë Hueyda që deklaroi se ai e kishte tradhtuar.

Fill pas ndarjes së saj me partnerin francez, Hueyda u takua me Tiery Grosjean, mik i saj prej disa kohësh në Luksemburg ku ajo i tregonte atij dhimbjen që i kishte shkaktuar lidhja me ish-partnerin e saj, Michael. Në atë kohë Tiery i deklaroi asaj dashurinë që ai kishte prej 5 vitesh për të dhe ky do të ishte një moment shumë i rëndësishëm në jetën e Hueydës.

Ajo u dashurua me Tiery dhe ndërtuan së bashku një jetë të re në Luksemburg. Hueyda punonte në një bankë në Luksemburg.