Aktualitet Shuhet në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Shuhet në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Shuhet në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Ai drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për 33 vite.

Janullatos ishte transferuar në spitalin “Evangelismos” të Athinës që prej të premtes së 3 Janarit. Ai qëndroi në monitorim nga ekipet mjekësore greke, por së fundmi gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.

Sipas asaj që raportojnë mediat, ai pësoi një gjakderdhje të brendshme për shkak të një virusi. Edhe më herët, Janullatos kishte paraqitur probleme në shëndet.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos lindi në Pire të Greqisë në vitin 1929. Në vitin 1992, ai u bë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. I lindur grek, në vitin 2017 atij iu dha nga Presidenti Ilir Meta nënshtetësia shqiptare.

“Kryepeshkopi ndërroi jetë sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin ‘Evangelismos’ të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në një spital privat në Tiranë. Ftojmë besimtarët ortodoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan Kisha Ortodokse Autoqefale.

Janullatos ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1992. U nderua me 27 medalje e çmime dhe në vitin 2000 u propozua për Çmimin Nobel.