Sport Shuma marramendëse që duhet të paguajë Chelsea në rast se shkarkon Conten

Shuma marramendëse që duhet të paguajë Chelsea në rast se shkarkon Conten

Chelsea thuhet të ketë nisur negociatat me ish-trajnerin e Barcelona-s Luis Enrique për të zëvendësuar Antonio Conte-n nëse vendos të shkarkojë trajnerin italian përpara se të përfundojë sezoni.

Sipas spanjolles Sport, spanjollit do t’i jepet një kontratë për pjesën e mbetur të sezonit dhe për dy vitet në vazhdim për të ndërtuar një projekt afatgjatë.

Pozicioni i Conte-s është në rrezik pas dy humbjeve radhazi ndaj Bournemouth dhe Watford që kanë bërë që Chelsea të rrezikojë pjesëmarrjen në Champions League sezonin tjetër.

Sport raporton se Conte-s do t’i jepet një mundësi e fundit në ndeshjen e radhës ndaj West Brom të hënën më 12 shkurt, por nëse humbet do të jetë fatale për të. Gazeta spanjolle vijon duke thënë se e vetmja arsye pse klubi nuk ka shkarkuar trajnerin është financiare.

Nëse Chelsea do ta shkarkonte Conte-n, do t’i duhet t’i jepte atij plot 37 milionë euro kompensim.

Blutë do të ndeshen me Barcelona-n në 1/8-at e Champions League më 20 shkurt, dhe nëse parashikimi i Sport del i vërtetë, ndeshja e parë e Luis Enrique-s në stolin e Chelsea-t do të jetë ndaj ish-ekipit të tij.