Bota “Shumë njerëz thonë se është patriotike të mbash maskë, nuk ka njeri...

“Shumë njerëz thonë se është patriotike të mbash maskë, nuk ka njeri më patriot se unë”

Presidenti amerikan Donald Trump duket se është tërhequr nga ideja që maskat mbrojtëse të fytyrës nuk duhen mbajtur me detyrim. Në një postim në Facebook, Trump tha se mbajtja e saj është një veprim patriotik.

“Jemi të bashkuar në përpjekjet për të mundur virusin e padukshëm kinez dhe shumë njerëz thonë se është patriotike të mbash maskë në fytyrë kur nuk ruan dot distancimin social. Nuk ka njeri më patriot se unë, presidenti juaj i preferuar!”, shkroi Trump.

Deri para pak ditësh, presidenti kishte refuzuar të mbante maskë në publik, por gjatë një vizite në një spital u shfaq për herë të parë para mediave me gojën dhe hundën e mbuluar.

Në 24 orët e fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u regjistruan 56750 raste të reja me koronavirus, ndërsa numri i viktimave të raportuara është 372. Në total, në SHBA janë konfirmuar 3 830 010 raste me Covid-19, ndërsa numri total i viktimave ka arritur 140 900.