Opinione Shumë vonë Martin Schulz!

Shumë vonë Martin Schulz!

Nga Katharina Kroll

Çfarë lëvizjesh marramendëse. Të mërkurën Martin Schulz u duk si fitues.

Ai arriti maksimumin për partinë socialdemokrate në bisedimet për koalicionin qeverisës me partinë kristiandemokratë të Angela Merkelit. Ministria e Punës, ajo e Financave dhe Ministria e Jashtme, që do ta drejtonte ai vet.

Tani ai mbetet pa asnjë post. I tërhequr nga kreu i partisë, ai po ashtu humbet edhe postin e preferuar të tij si ministër i Jashtëm.

Përse ndodhi kjo lojë e trishtueshme?

Martin Schulz e stërmundoi partinë me shumë kthesa të forta dhe bëri shumë gabime strategjike. Këtë ai e kuptoi edhe vet dhe donte të shpëtonte me postin e ministrit të Jashtëm, duke hequr dorë vullntarisht si kryetar partie.

Por Martin Schulz i bëri hesapet pa Sigmar Gabrielin. Ky i fundit është i preferuar si asnjë politikan tjetër në Gjermani dhe donte të mbetej vet ministër i Jashtëm.

Të gjithë indinjatën dhe mllefin e tij Gabriel e shprehu në një intervistë:

“Vajza ime e vogël më tha sot në mëngjes: Ti nuk duhet të mërzitesh babi, tani do të kesh më shumë kohë për ne. Eshtë më mirë me ne se me atë burrin, me flokë në fytyrë.”

Anë e mbanë u citua dhe mund të lexohet kjo intervistë. Madje kjo është edhe tema numër një e bisedave në Berlin. Ministri i Jashtëm në detyrë dhe ish-kryetari i partisë Gabriel flet përmes fjalëve të vajzës së vet.

Nuk mund të ketë teatër më të shëmtuar se kaq mes dy burrave, që dikur e quanin veten shokë. Përmes kësaj fjalie bëhet shumë e qartë se ç’po ndodh pas kuintave në partinë tradicionale SPD!

Edhe Merkeli është tani në tension

Martin Schulz e di, që nuk  mund ta marrë më veten prej kësaj goditjeje. Kokëulur ai tërhiqet tani. E me këtë ai do t’i bëjë shërbimin e fundit partisë.

Ai shpreson që kështu do t’u jepet fund “urgjentisht” debateve për personelin në SPD.

Me këtë ai do t’i verë në lëvizje anëtarët e partisë, që të miratojnë marrëveshjen e koalicionit me unionin e Angela Merkelit. Sepse miratimi i marrëveshjes nga baza e SPD-së është pengesa tjetër përpara, në mënyrë që të mund të krijohet qeveria e re.

Martin Schulz nuk mund të mbështetej më tek partia e vet, që e zgjodhi atë me 100 përqind të votave kryetar dhe kandidat për kancelar para zgjedhjeve.

Në fund SPD-ja dukej si një parti tërësisht e refuzuar. Për ta nxjerrë atë tani nga ky batak është një detyrë e vështirë e kryesisë së mbetur të partisë.

Pyetja është, nëse mund të realizohet kjo deri më 4 mars, në ditën vendimtare të votës së anëtarëve të partisë.

Në rast të kundërt jo vetëm SPD ndodhet përballë rënojash, por edhe vet kancelarja Merkel./DW