Sport Si dështoi ndeshja e parë e kombëtares shqiptare para Luftës së Dytë...

Si dështoi ndeshja e parë e kombëtares shqiptare para Luftës së Dytë Botërore

Gazetari hulumtues dhe studiues i arkivave, Armand Plaka, ka befasuar me zbulimin e tij të fundit, teksa i është referuar një gazete të vjetër austriake, FuBball-Sonntag.

Në të tregohet si dështoi ndeshja e parë e kombëtares shqiptare në futboll, para se Shqipëria të pushtohej nga Italia.

“Thuajse vetëm një muaj para se Shqipëria të pushtohej nga Italia, Federata Suedeze e Futbollit kishte vendosur të luante një ndeshje me Shqipërinë, e cila nuk na bëhet e ditur nëse do mbahej në kuadër të eliminatoreve të Botërorit, ndonjë aktiviteti tjetër apo thjesht si ndeshje miqësore mes dy kombëtareve të kohës. Por na lihet të kuptohet se do të zhvillohej në Suedi.

Por përpos vendimit të Federatës, duket se media vendase e kohës, e kishte kritikuar këtë vendim, duke arsyetuar se publikut nuk mund t’i paraqitej përballë kombëtares vendase një ekip kombëtar që deri në atë kohë nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare ndërkombëtare.

Lajmin e bënte të ditur shtypi sportiv vjenez më 12 mars 1939. Edhe pse Federata Suedeze kishte dhënë miratimin paraprak për zhvillimin e ndeshjes, ajo nuk u zhvillua dhe bërthama e kombëtares shqiptare u shkri për t’u rithemeluar pas përfundimit të Luftës”, shkruan Plaka.

Faksimilja e gazetës dhe lajmit ku është botuar lajmi në fjalë

Kujtojmë se kombëtarja shqiptare e futbollit e ka përfaqësuar vendin tonë në garat ndërkombëtare që nga viti 1946. Ndonëse nuk luajti asnjë ndeshje, ekipi kombëtar shqiptar i futbollit ekzistonte përpara se të krijohej Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), më 6 qershor 1930. Shqipëria e luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare kundër Jugosllavisë në vitin 1946, e cila përfundoi me humbjen 3-2 në shtëpi, në stadiumin “Qemal Stafa”.