Kryesore Si funksionon sistemi politik amerikan: Roli i Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe...

Si funksionon sistemi politik amerikan: Roli i Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit dhe Gjykatës së Lartë

Shpërndaje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sistemin kushtetues më të vjetër në botë. Regjimi politik amerikan, me Kushtetutën e vitit 1787, ka sintetizuar idetë më të përparuara të teorisë liberale të shekullit XVIII. Themeluesit e shtetit amerikan e konceptuan qeverinë si një ngrehinë që do të ishte e aftë ti përgjigjej si rritjes territoriale-demografike, ashtu edhe afirmimit në botë.

Sistemi amerikan mbështetet në ndarjen e qartë të pushteteve në shtet, çka nënkupton autonomi të mirëfilltë të tyre, veçanërisht përsa i përket mënyrës së zgjedhjes, ushtrimit dhe ndërprerjes së veprimtarisë së organeve që përfaqësojnë pushtetet përkatëse. Bëhet fjalë për një regjim presidencial klasik, me qeveri presidenciale.

Pushteti ekzekutiv në SHBA është në duart e Presidentit, i cili, krahas prerogativave të rëndësishme kushtetuese, gëzon edhe legjimitetin popullor falë zgjedhjes së tij me votë universale, për një mandat katërvjeçar. Për marrëdhëniet e ekuilibruara ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit, amerikanët u ndikuan nga përvoja angleze. Anëtarët e qeverisë, që quhen sekretarë, emërohen prej Presidentit, me pëlqimin e Senatit.

Presidenti drejton administratën federale, emëron (me miratimin e Senatit) zyrtarë të lartë federalë, diplomatë, anëtarë në Gjykatën e Lartë; udhëheq politikën e jashtme, negocion dhe nënshkruan marrëveshje dhe traktate që ratifikohen nga Senati; është komandant i përgjithshëm i ushtrisë dhe mund të drejtojë veprime luftarake jashtë vendit, por pa miratimin e Kongresit nuk ka të drejtë të organizojë veprime të tilla për më shumë se 60 ditë.

Përveç kompetencave të mësipërme, Presidenti është bashkërendues i politikës ekonomike, përpunues i ligjit të buxhetit (bashkë me këshilltarët e vet), mbrojtës i politikave sociale, shtyllë e sistemit federal falë rritjes së subvencioneve federale për shtetet e rajonet e ndryshme të vendit, si dhe i ngarkuar me administrimin e krizave të brendshme dhe ndërkombëtare.

Një sistem i tërë organizmash dhe agjencish të specializuara është krijuar për të mbështetur ushtrimin nga Presidenti të funksioneve ekzekutive dhe për kontrollin e veprimtarisë së departamenteve qeveritare.

Gjithsesi, kompetencat e Presidentit balancohen nga ato që kanë Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Parlamenti i SHBA, që quhet Kongres, ushtron pushtetin legjislativ. Ai ka dy Dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, me kompetenca gati të barabarta.

Por, midis tyre ka disa dallime përsa i përket kohëzgjatjes së mandatit: 2 vjet për Dhomën e Përfaqësuesve, 6 vjet për Senatin; mosha minimale për t’u zgjedhur në Dhomën e Përfaqësuesve është 25 vjeç, ndërsa për në Senat 35 vjeç; numri i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve është 435, ai i Senatit 100 etj. Të dyja Dhomat zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë. Çdo dy vjet 1/3 e Senatit përtërihet.

Struktura e Kongresit

Pushteti legjislativ amerikan me kushtetutë i takon Kongresit. Në nivel federal Kongresi është i vetmi që mund të sjellë ligje, miratojë buxhete dhe t’i shpallë luftë një shteti tjetër. Kongresi voton anëtarët e kabinetit të Presidentit, voton gjykatësit e Gjykatës Supreme, ambasadorët dhe një sërë funksionarësh të tjerë të lartë amerikan.

Në letër ai pra ka fuqi të jashtëzakonshme dhe është menduar të qëndrojë si kundërpeshë ndaj Presidentit.

Kongresi amerikan përbëhet nga dy dhoma: Senati dhe Shtëpia (apo Dhoma) e Përfaqësuesve. Dhoma e Lartë, apo Senati, është menduar si trup i anëtarëve më të pjekur dhe më prestigjioz dhe si dhomë ku përfaqësohen njësoj të gjitha shtetet. Dhoma e Ulët është për politikan më të ri dhe shpreh më direkt vullnetin e popullit. Secili shtet aty është përfaqësuar sipas numrit të banorëve që ka.

Për të sjellë një ligj atë duhet t’a votojnë me tekst të njëjtë, pikë për pikë, të dyja Dhomat. Dy dhomat funksionojnë në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, por në raste të veçanta mbajnë mbledhje të përbashkët. Vetëm në atë rast, të dyja bashkarisht, njihen si Kongres.

Senati. Senati përbëhet nga 100 senatorë. Çdo shtet i SHBA-ve ka nga dy senatorë: të Vjetrin dhe të Riun. Me këtë në Senat të gjitha shtetet përfaqësohen njëlloj, si Uajoming që ka 500.000 banorë ashtu dhe Kalifornia me 38 milionë banorë. Senati pra siguron që shtetet e mëdha nuk mund t’i dominojnë shtetet e vogla dhe të sjellin ligje në dëm të tyre.

Mandati i një senatori është 6-vjeçar. Mirëpo jo të gjithë senatorët zgjidhen në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se në çdo moment në Senat janë të paktën 66 senatorë që nuk kanë hallet e zgjedhjeve dhe Senati funksionon pa ndërprerje edhe në vite zgjedhjesh. Mosha mesatare e senatorëve është 61 vjeç.

Rol thelbësor në veprimtarinë legjislative të Dhomave kanë komisionet dhe nënkomisionet, të cilat organizojnë dëgjime (hearings) për informimin e parlamentarëve për projektligjet ose me rastin e hetimeve të ndërmarra nga komisionet përkatëse. Divergjencat e mundshme ndërmjet dy Dhomave zgjidhen nga një komision ndërmjetësues miks.

Si Presidenti, ashtu edhe Kongresi, zotërojnë fuqi vepruese ndaj njëri-tjetrit, që ndryshojnë nga ato të regjimit parlamentar.

Presidenti mund të verë veton mbi një ligj të votuar nga Kongresi. Në këtë rast ligji hyn në fuqi vetëm nëqoftëse Kongresi përsërit votimin dhe e miraton ligjin me shumicë të cilësuar, pra me 2/3 e numrit të anëtarëve të secilës Dhomë.

Pavarësisht se Kushtetuta nuk e lejon Presidentin të iniciojë projektligje, anëtarët e ekzekutivit mund të paraqesin në mënyrë indirekte, përmes parlamentarëve të partisë presidenciale, projektligje, ose këto u bashkangjiten mesazheve të përvitshme që Presidenti i drejton Kongresit. Ky i fundit mund të bëjë ndryshime në Kushtetutë po qe se amendamenti i votuar nga 2/3 e anëtarëve të të dyja Dhomave ratifikohet nga legjislaturat e 3/4 të shteteve që përbëjnë federatën.

Kongresi ka edhe kompetencë të ushtrojë kontroll mbi funksionimin e shërbimeve publike (me anën e komisioneve hetimore), si dhe të verë nën akuzë zyrtarë federalë, ministra, madje edhe vetë Presidentin.

Vënia nën akuzë e Presidentit bëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa revokimi i tij bëhet nga Senati me shumicë absolute votash. Më 1974, Presidenti Riçard Nikson u detyrua të jepte dorëheqjen që të mos gjykohej nga Senati pasi u padit për spiunimin nga ana e njerëzve të tij e një mbledhjeje të Partisë Demokrate gjatë fushatës zgjedhore të vitit 1972 (Çështja Uotergejt). Pra, Presidenti dhe Kongresi mund të pengohen ndërsjelltas në ushtrimin e atributeve përkatëse.

Presidenti nuk mund të mbështetet në deputetët e partisë së vet sepse, ndryshe nga disiplina dhe koherenca që shquan veprimet e partisë që ka shumicën në parlament në një regjim si ai britanik, në SHBA liria e votës së parlamentarëve është absolute, ndërkohë që nocioni i shumicës në parlament është krejt relative. Shumica bëhet ose zhbëhet për çdo projektligj, pra është e ndryshueshme. Në të vërtetë, partitë amerikane luajnë rol më të rëndësishëm në procesin zgjedhor se sa në atë qeveritar. Organizimi shtetëror federal, i cili përcakton një ndarje të pushtetit midis shteteve anëtare dhe pushteteve federale, shkakton një të çarë edhe në strukturat partiake.

Ndër pushtetet nga varet mbajtja e baraspeshimit në funksionimin e sistemit amerikan, ai juridik, i Gjykatës së Lartë, mban vendin e parë. Veprimtaria politike e pushtetit juridik ushtrohet kryesisht për garantimin e respektimit të Kushtetutës përmes kontrollit të kushtetutshmërisë së ligjeve, urdhrave të ekzekutivit dhe marrëveshjeve të nënshkruara me shtetet e huaj. Gjykata e Lartë zgjidh të gjitha konfliktet politike serioze; ajo është një instrument baraspeshe në sistemin politik, që u vë cak teprimeve që mund të nxjerrin krye në segmente të ndryshme qeveritare dhe mbron individët e pakicat; mund të vendosë për ndryshime apo modifikime, për të cilat Presidenca dhe Kongresi ngurrojnë ti bëjnë.