Extra Si lindin yjet, imazhet e fundit nga hapësira mahnisin shkencëtarët

Si lindin yjet, imazhet e fundit nga hapësira mahnisin shkencëtarët

Imazhet e një “çerdheje yjore” në Mjegullnajën e Orionit të marra nga teleskopi hapësinor James Webb po zbulojnë detaje se si lindin dhe formohen yjet dhe sistemet planetare.

Imazhet, të publikuara të hënën, hedhin dritë mbi një mjedis të ngjashëm me sistemin tonë diellor kur u formua më shumë se 4.5 miliardë vjet më parë.

“Vëzhgimi i Mjegullnajës Orion do t’i ndihmojë shkencëtarët e hapësirës të kuptojnë më mirë se çfarë ndodhi gjatë miliona viteve të para të evolucionit planetar të Rrugës së Qumështit”, tha astrofizikani i Universitetit Perëndimor, Els Peeters.

“Ne jemi të mahnitur nga imazhet befasuese të Mjegullnajës Orion. Ne e filluam këtë projekt në vitin 2017, kështu që kemi pritur më shumë se pesë vjet për të marrë këto të dhëna. Këto vëzhgime të reja na lejojnë të kuptojmë më mirë se si yjet masive transformojnë renë e gazit dhe pluhurit në të cilën ata lindin”, tha ai.

Zemrat e çerdheve yjore si Mjegullnaja e Orionit janë të errëta nga sasia e madhe e pluhurit yjor, duke e bërë të pamundur studimin e asaj që po ndodh brenda me instrumente si teleskopi Hapësinor Hubble, i cili mbështetet kryesisht në dritën e dukshme.

Por Webb zbuloi dritën infra të kuqe të kozmosit, e cila i lejon vëzhguesit të shohin përmes këtyre shtresave të pluhurit, duke zbuluar ccfarë ndodh thellë brenda Mjegullnajës Orion, thuhet në njoftim.

Imazhet e reja zbulojnë struktura të shumta brenda mjegullnajës, duke përfshirë proplyds, një protostar qendror i rrethuar nga një disk pluhuri dhe gazi në të cilin formohen planetët.

“Ne kurrë nuk kemi qenë në gjendje të shohim detajet se si është strukturuar materia ndëryjore në këto mjedise dhe të kuptojmë se si sistemet planetare mund të formohen në prani të këtij rrezatimi të ashpër. Këto imazhe zbulojnë shumë mbi sistemet planetare”, tha Emilie Habart, profesoreshë e asociuar në Institut d’Astrophysique Spatiale në Francë.

Gjithashtu qartësisht i dukshëm në zemër të Mjegullnajës Orion është grupi i yjeve të rinj masivë që formojnë renë e pluhurit dhe gazit me rrezatimin e tyre intensiv ultravjollcë.

Të kuptuarit se si ky rrezatim ndikon në rrethinën e grumbullit është çelësi për të kuptuar formimin e sistemeve yjore.