Sport Si Maradona e ktheu Messin në një magjistar të goditjeve të dënimit

Si Maradona e ktheu Messin në një magjistar të goditjeve të dënimit

Lionel Messi mori lavdërime nga mbarë bota për goditjen magjike të dënimit, prej nga erdhi goli i tretë i fitores 3-0 ndaj Liverpool-it në mesjavë, i cili ishte edhe goli i 600-të i argjentinasit me Barcelonën. “Pleshti” është ekzekutuesi më i mirë i goditjeve të lira dhe sekretin e këtij “specialiteti” ia ka mësuar Diego Maradona.

Messi nuk ka qenë i saktë në kësi goditjesh deri më 1 shkurt 2009, kur u shfaq në karrierën e tij Diego Maradona.

Kur “Dora e Zotit” ishte trajner i ekipit kombëtar të Argjentinës, përpara një miqësoreje me Francën, i bëri stërvitje speciale djaloshit të ri asokohe, duke i treguar disa sekrete në goditjet e lira. Këtë gjë e ka treguar me detaje edhe profesor Fernando Signorini në librin e tij për futbollin. Aty e rrëfen këtë moment historik.

Fernando Signorini ishte trajner i përgatitjes fizike në stafin e Diego Maradonës: “Ne shkuam në Francë për të luajtur një miqësore, në Marsejë. Pas stërvitjes së zakonshme të grupit, qëndruam diçka më shumë me Mascherano, Tevez dhe Messi. Diego i vuri ata në situata goditjesh të lira. Veçanërisht u mor me Lionel Messin, të cilit ia demonstroi disa herë se si duhej ta godiste topin. Ai ngulmoi se si duhej ta vendoste këmbën mbështetëse në fushë dhe si duhej të godiste me tjetrën.

Leo e dërgonte topin shumë më lart se duhej dhe Maradona e braktisi stërvitjen i zhgënjyer. Shkoi direkt në dhomën e zhveshjes. Më vonë e pashë Messin të bezdisur, teksa rrinte i hutuar në dhomën e zhveshjes. Iu afrova dhe i thashë: Më thuaj një gjë, pse një lojtar si ti shkon i dëshpëruar në dush, pas një gjuajte të tillë?

Maradona, i cili i kishte dëgjuar të gjitha, ndërhyri dhe tha: Leo, Leo, eja ta provojmë përsëri. Ai sillej me lojtarët si një mësues me nxënësit. Dhe vazhdoi: Djalosh, vendose topin këtu dhe më dëgjo mua. Mos e largo këmbën aq shpejt nga topi, ndryshe ai nuk do ta dijë se çfarë dëshiron. Nuk ke nevojë ta trajtosh topin në mënyrë të veçantë, vetëm duhet ta bësh ta kuptojë çfarë ti dëshiron.

Ushtrim mbas ushtrimi, goditje mbas goditje dhe Messi nuk gaboi më. Godiste me këmbën e tij të majtë dhe e dërgonte topin në qoshe të portës. Aty e kam parë Maradonën ta shihte me admirim Messin. Këto fjalë, Leo i mori shumë seriozisht dhe nga ajo ditë i godet ndryshe gjuajtjet e lira, me një saktësi shumë të madhe”.