Aktualitet Si maten lëkundjet e tërmetit në stacionin e Linzës? Sizmologu shpjegon skemën

Si maten lëkundjet e tërmetit në stacionin e Linzës? Sizmologu shpjegon skemën

Aplikacionet e tërmetit janë trendi i momentit dhe kryesisht të rinjtë e kanë instaluar në celularin e tyre, por si arrijnë sizmologët që t’i masin lëkundjet?

Rrapo Ormëni shpjegon skemën nga stacioni qendror sizmologjik i Tiranës, në Linzë.

“Sizmometrat mbahen në një dhomë në një tunel, aty ku është gjetur rrënjësori,  dhe mbi të është vendosur bazamenti prej betoni, mbi të cilin është vendosur sizmometri i cili është hermetik, pra ku nuk veprojnë agjentët atmosferikë”, thotë sizmologu.

Kjo shtresë betoni, 4 metra e lartë, është e lidhur direkt me shkëmbin dhe lëviz bashkë me të, kur bie tërmet.

“Kur ndodh një termet kemi lëkundjen e rrënjësorit, që lëviz bashkë me bazamentin dhe së bashku me të lëviz dhe sizmometri. Kjo lëkundje përkthehet në rrymë elektrike që kalon në digjitializues duke u shndërruar në valë elektromagnetike,  që përmes një antene shkon në qendrën e monitorimit sizmologjik”, shpjegon Ormëni. Në IGJEUM, të dhënat publikohen online dhe mund të merren nga gjithkush.

Ormëni shpjegon ecurinë e lëkundjeve nga 26 nëntori. “Deri tani janë regjistruar 1879 tërmete, 2 me magnitudë mbi 5, 40 me magnitudë 4-5 dhe kështu me radhë. Po vinë duke u shuar gradualisht, por është e qartë që pas një goditje të tillë pasgoditjet vazhdojnë për një afat kohor, një muaj ose edhe më shumë”, thotë ai.

Në Linzë është instaluar edhe ky GPS që mat deformimet e tokës, të dhëna këto që shërbejnë për studimet e sizmologëve./A2