Kryesore Si ndihesh me Bindjen Demokratike? Patozi: Njësoj si Ronaldo kur shkoi te...

Si ndihesh me Bindjen Demokratike? Patozi: Njësoj si Ronaldo kur shkoi te Juventus

Astrit Patozi është koordinatori i Bindjes Demokratike, partisë më të re në vend. Ai ishte i ftuar në emisionin “Mbrëmje ABC” ku foli rreth partisë. Kur u pyet se çfarë ndjesie ka që tashmë është vendosur si koordinator i saj, Patozi e krahasoi atë me Ronaldon në kohën kur shkoi të Juventus pas një periudhe të gjatë në Madrid.

“Kjo është një gjë që nuk e kisha menduar më parë, por kam përshtypjen se është si ndjesia e Ronaldos kur ka shkuar te Juventus pasi qëndroi te Real Madridi për një kohë të gjatë. Janë gjëra që ndodhin në jetë”, tha Patozi.

“Nuk na intereson qëndrimi i Bashës”

Partisë “Bindja Demokratike” nuk i intereson qëndrimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha, i cili deklaroi këtë të martë se nuk do të ketë zgjedhje me opozitë false.

“Unë nuk jam njeri i panjohur. Nuk dola nga veza sot. Njerëzit më njohin me të mirat dhe të këqijat e mia. Nëse ka ndonjë gjë personale ky është një opinion jo argument. Ai mendon se ne mund të jemi opozitë false, por unë nuk mendoj se ka opozitë më false sesa ky njeri që bëri pazarin më të pisët të politikës shqiptare në Majin e 2017-s. Që këtu e mbyllim historinë bashkë. Unë dhe miqtë e mi që besojmë tek ky projekt nuk kemi bashkëpunuar asnjëherë me Ramën. Ata janë në të drejtën e tyre.

PD është sot ish-shtëpia ime politike me të cilën nuk kam më asnjë lidhje. E kam deklaruar që nuk më intereson dhe kam ikur prej saj dhe kam të drejtën që të kemi projektin tonë politik dhe ofertën politike për zgjedhësit. Nuk na intereson qëndrimi i Bashës. Por ata nuk mund të na caktojnë çfarë jemi sepse opozita nuk merret me licensë. Ne themi që djegia e mandateve është tradhti ndaj zgjedhësve. Ne kemi optikën tjetër, që duhet të përballesh me qeverinë edhe në ditën më të keqe, që herës tjetër ta dëmtosh”, tha Patozi.

Sot u dorëzua dokumentacioni për regjistrim në gjykatë i Bindjes Demokratike, shoqëruar me 4 mijë firma mbështetësish. Gjithashtu partia drejtoi dhe kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u bërë pjesë e garës elektorale të 30 Qershorit.

Aktualisht Bindja Demokratike përfaqësohet nga një bord 6 anëtarësh ndërmjet të cilëve Astrit Patozi është përzgjedhur si koordinator.