Sport “Si nuk e pa Italia, por Shqipëria?” Daniele Adani hap debat për...

“Si nuk e pa Italia, por Shqipëria?” Daniele Adani hap debat për Asllanin

Daniele Adani, ish-futbollisti i njohur italian, vazhdon t’i thurë elozhe Kristjan Asllanit. Mesfushori i talentuar shqiptar ka përfunduar në vëmendjen e klubeve më të njohura pas shpërthimit të tij në Serinë A me Empolin. Sipas Adanit, kushdo që do ta blejë atë në verë, do të bëjë një goditje të madhe.

“E kam thënë që Asllani është lojtari i ri më i mirë i kampionatit. Kush do ta marrë, nuk e di çfarë goditje do të bëjë, do ta kuptojë me kalimin e kohës”, tha ai në “Bobo TV”, i bindur se potenciali i futbollistit është i jashtëzakonshëm, si mundësia për t’u përmirësuar.

Ndërkohë, Adani ka kritikuar Federatën Italiane se pse i ka ikur nga duart një futbollist i tillë. ”Unë pastaj pyes veten: Ky djalë jeton dy hapa larg Empolit që nga mosha 2-vjeçare. Si është e mundur që federata italiane nuk i ka parë cilësitë e tij dhe federata shqiptare po? Kush e merr përgjegjësinë?”, tha Adani, i cili me sa duket kishte pritshmëri që Asllani të ishte potencialisht një futbollist i Italisë në të ardhmen.

Falë paraqitjes shumë të mirë që ka bërë këtë sezon, Asllani është vënë në shënjestër të klubeve me emër në Itali. Interi e sheh si një zëvendësues të mundshëm të Brozoviç, por janë edhe skuadra të tjera që e duan Asllanin aktualisht. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ia ka propozuar Napolit.

Në Kombëtaren shqiptare pritet që Asllanin ta shohim si një pikë kyçe. Me aftësitë që zotëron, ai mund ta ndihmojë shumë skuadrën tonë në ndërtimin e aksioneve. Mesfushori ka një personalitet të jashtëzakonshëm në fushë dhe manifeston një pjekuri për t’u admiruar.