Aktualitet “Si përndiqja Princ Lekën”, rrëfimi i 25-vjeçares

“Si përndiqja Princ Lekën”, rrëfimi i 25-vjeçares

25- vjeçarja Fitore Bekteshi, e dënuar nga gjykata për “përndjekjen” e Princit Leka Zogu dhe bashkëshortes së tij  Elia Zaharia (Zogu) , ka pranuar akuzën .

Para prokurorëve dhe gjykatës  ajo i ka justifikuar veprimet e saj me dashurinë që ndjente për Princ Lekën dhe se gjithçka e kishte bërë për t’i shprehur ndjenjat.

Një e përditshme  publikon sot dëshminë e Fitore Bekteshit dhënë në Prokurori gjatë hetimit të dosjes, ku ajo tregon me detaje si është njohur me trashëgimtarin e familjes mbretërore Zogu, përballjet e saj me aktoren Zaharia, shoqërimet në polici, si dhe përndjekjen nëpër Tiranë, deri te guximi për t’u futur brenda gardhit rrethues të vilës së tyre, apo marrjes pjesë në ceremoninë e dasmës, ndonëse ishte në “arrest shtëpie”.

Ajo u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, por nuk shkoi në qeli.

Gjykata konstatoi shuarjen e masës së sigurimit “arrest shtëpie” me arsyetimin se masa e dënimit ishte më e madhe se koha e qëndrimit të saj në këtë masë sigurie.

 

DËSHMIA E PLOTË:

Unë kam shkuar te lokali te kinema “Millenium” prej shumë kohësh dhe nuk e dija fare që ekzistonte Leka. Një ditë, teksa po rrija te kangjellat, te lojërat e fëmijëve, Leka ishte aty. U vështruam reciprokisht përtej gardhit për një moment të shkurtër, por për mua ishte shumë i gjatë, edhe pse nuk isha njohur më përpara me të. Kjo ka ndodhur nga muajt maj-qershor të vitit të kaluar. Ai ishte duke ecur me qentë e vet, por nuk më dha ndonjë shenjë, pasi nuk kishte arsye. As unë nuk i fola.

Pas kësaj, unë u ndjeva mirë, u tërhoqa nga Leka dhe fillova ta dashuroja në distancë, megjithëse ai nuk më tha asnjë fjalë. Prej asaj dite, unë shkoja shpesh tek ai lokal, gati çdo ditë, me ndonjë ndërprerje, për shkak të mësimeve.

Arsyeja që shkoja ishte se doja ta shikoja Lekën, pasi ai për mua ishte një diell më tepër, dielli vetë. Gjatë vajtjeve të mia atje, e kam parë disa herë atë. I kam buzëqeshur atij si gjithë të tjerët, kurse nga ana e tij nuk kam marrë asnjë reagim.

Pas kësaj, unë afrohesha shpesh te rrethimi dhe luaja me qentë e tij. Një ditë, në prill të këtij viti, teksa po rrija mbrapa kangjellave dhe po lexoja një libër, ishte kohë me diell, drekë, më është afruar Elia Zaharia dhe më pyeti se çfarë bëja aty, se duhej të largohesha se do më çonte o në spital psikiatrik, o në polici, por këtë duhej ta zgjidhja unë. I thashë që nuk doja asnjë nga të dyja dhe u largova. Kjo ishte hera e parë që ajo u përplas verbalisht me mua.

Unë u ktheva aty të nesërmen prapë dhe po rrija te gjelbërimi, duke qëndruar më larg, por aty ka ardhur policia dhe më ka shoqëruar në Komisariat për identifikim, pasi nuk kisha kartë me vete.

Kam ndenjur atje për një kohë të gjatë dhe unë nuk kam dashur që policia ta njoftojë familjen. Më kanë lëshuar dhe kam shkuar në shtëpi. Policia nuk më tha të mos shkoja më atje, por thjesht për kartë identiteti. Të nesërmen unë shkova prapë te vila e Zogut dhe aty po luaja me një breshkë bashkë me një zonjë dhe nipin e saj.

Ka ardhur përsëri policia dhe më kanë shoqëruar përsëri. Kësaj here më thanë se nuk duhej të shkoja më te kangjellat e vilës, se ishte pronë private. Për disa kohë nuk jam afruar, por kur ka filluar kampionati botëror i futbollit, kam filluar të shkoj përsëri në kafen aty, që është hapësirë publike.

Te kangjellat e vilës nuk jam afruar, nuk kam bërë asnjë veprim. Kam pasur konfrontime me rojet private të vilës, por kjo ka ndodhur kur unë jam futur brenda rrethimit të vilës, kur aty është hapur një call-center, duke menduar se kjo gjë nuk ishte e ndaluar.

Pashë që aty kishte nevojë për pastrim nga barërat e këqija, kishte dhera dhe unë vullnetarisht, me disa vegla që ndodheshin aty, kam filluar pastrimin dhe sistemimin e terrenit të vilës.

Këto veprime unë i bëra e shtyrë nga ndjenjat që kam për Lekën, duke dashur t’i tregoj atij se sa mua më pëlqen pastërtia dhe rregulli. Gjatë kësaj kohe, Leka dhe Elia nuk më kanë parë besoj. Unë thjesht doja që në mëngjes, kur ata të zgjoheshin, gjithçka të ishte pastruar dhe rregulluar dhe jo të krijoja ndonjë zhurmë apo shqetësim për ta.

Rojet e sigurisë, vetëm kur unë kisha mbaruar pastrimin, më thanë që të mos dukesha më aty pasi nuk lejohej dhe unë ika. U ktheva përsëri, pasi nuk kisha mbaruar punë dhe se nuk mund ta prisja Elian për mbarimin e kësaj pune të nisur.

Nëpër Tiranë kam pasur kontakte me çiftin, kryesisht me Lekën, pasi atë ndiqja. Më kujtohet rasti i supermarketit kur, pasi e kisha ndjekur Lekën me biçikletë, jam futur brenda dhe teksa ai bënte pazar bashkë me rojën, unë i kam buzëqeshur, nuk i kam folur, pasi kur jam afër tij unë mpihem dhe bllokohem, nuk flas dot.

Në një rast tjetër, unë po e ndiqja përsëri dhe ai ishte ulur në një lokal te “M…”, te “Telesporti” dhe po pinte çaj të ftohtë. Hyra dhe unë në lokal dhe u ula anash tij, jo aq ngjitur, porosita edhe unë çaj të ftohtë.

I kam buzëqeshur sepse nuk rri dot pa i buzëqeshur atij. U ngrit ai dhe pastaj u ngrita edhe unë nga lokali. Çajin e pagova vetë. Në një rast tjetër, te restorant “T…” Leka ka qenë ulur me Elian dhe unë po i ndiqja nga pas.

U ula jashtë, kurse ata brenda. Nuk u kam folur, por i buzëqesha Lekës, pasi unë u buzëqesha edhe fëmijëve të vegjël që ndodheshin. Ka qenë verë. Një herë tjetër te restorant “P…” teksa e ndiqja Lekën dhe ai ishte me disa shokë, unë e pashë që hyri aty, por vetë nuk hyra dhe nuk i kam thënë asnjë fjalë, ika, nuk e prita.

Një natë unë kam fjetur përjashta oborrit të vilës së tij, pasi doja të mbaroja punën që kisha filluar në oborr. Një ditë tjetër, Leka më ka thënë të largohem nga rrethimi i vilës, por unë nuk i kam thënë asnjë fjalë, vetëm i kam buzëqeshur dhe pastaj jam larguar. Vajtjet e mia atje kanë pasur si qëllim shprehjen e ndjenjave të mia ndaj Lekës.

Unë e dashuroj atë, me fjalë nuk ia kam thënë, por me veprimet e mia, me këngë, vizatime, buzëqeshje, mendoj se ia kam shprehur. Unë këtë mënyrë kam zgjedhur. Ndaj Elias nuk kam asgjë. Kur ishin te “T…”, kur u ngritën, Elia qeshte me një shoqen e saj dhe më tha nëse e kisha parë veten në pasqyrë, pasi unë nuk dija të vishesha dhe se para se të vija aty, duhej të vishesha më bukur.

Unë i thashë se nëse ti i flet një njeriu në këtë mënyrë, ti i mendon këto gjëra në veten tënde. Leka nuk më tha asnjë fjalë, kurse Elia filloi të bërtiste. Unë vetëm e dëgjoja dhe më çuditi se si flet ajo me mua, pasi unë nuk e kam fyer dhe nuk kam folur me asnjë për të.

Ditën e dasmës nuk më kujtohet se çfarë kam bërë. Kam qenë te Galeria e Arteve, afër vilës, kisha veshur rroba të zeza dhe pashë Elian dhe Lekën teksa dolën nga makina. Elia ishte veshur nuse dhe Leka dhëndër.

Në oborr kishte njerëz që nuk kishin ftesa dhe po kërcenin. Në momentin kur zbriti çifti nga makina, unë i thashë Elias se fustanin e ke shumë të bukur, sa keq që e krahason edhe me jetën e njerëzve, ajo nuk tha gjë, por vazhdoi përpara.

Unë e dija që isha me masë sigurimi arrest në shtëpi, por përsëri dola nga shtëpia, pasi kisha kohë që nuk e kisha parë Lekën dhe doja ta shikoja për herë të fundit. Megjithatë dashuria ime për të nuk ka mbaruar, nuk do ta shpreh më siç ia kam shprehur deri më tani, por do ta dashuroj për së largu.

Unë e kam afër në zemrën time. Te shtëpia e tij nuk do të shkoj më, nuk do ta ndjek me biçikletë. Do të gjej mënyra të tjera jo ilegale, do të pastroj rrugët e shtëpisë, do të vazhdoj të shkoj nëpër protesta, por jo tani që jam me masë sigurimi, të kontribuoj për shoqërinë në punë vullnetare, në organizata. Në arsyetimin e deklarimit fajtore të të pandehurës, gjykata shprehej se rezultonte e provuar që për një periudhë kohore prej 1 viti ajo ka ndjekur nga pas shtetasit Elia Zaharia dhe Princ Leka Zogu, për të cilin e pandehura ka deklaruar se është e dashuruar.

Me veprimet e vazhdueshme të të pandehurës, shprehet gjykata, të dëmtuarit Elia Zaharia dhe Princ Leka Zogu ndihen të kërcënuar, duke i krijuar gjendje ankthi dhe frike.

Po sipas gjykatës, këto veprime të të pandehurës kryhen me qëllim që t’u shkaktohet të dëmtuarve një gjendje e vazhdueshme dhe e rëndë ankthi apo frike, gjë që e ka detyruar shtetasin Princ Leka Zogu dhe bashkëshorten e tij, shtetasen Elia Zaharia, që të ndryshojnë mënyrën e jetesës së tyre.