Histori Si shkoi vjehrra e Skënderbeut në Itali

Si shkoi vjehrra e Skënderbeut në Itali

Në prill të vitit 1469 një nënë dhe djali i saj u shfaqën në Romë para Papës Palit II dhe kardinalëve të tij dhe kërkuan para dhe strehim. Bëhej fjalë për refugjatë politikë nga Shqipëria e Mesme, të cilët kishin shpëtuar nga trupat e Sulltanit osman, Mehmeti II, duke ikur në Itali.

Gruaja quhej Despina Araniti dhe ishte vjehrra e Skënderbeut, i cili prej dekadash luftonte kundër osmanëve dhe sot konsiderohet hero kombëtar shqiptar, transmeton KOHA.

Pak pas audiencës, ajo me krenari i shkroi mikes më të besueshme në Itali, Barbara Gonzaga, konteshës së Mantuas, që atëbotë ishte njëri prej oborreve më të rëndësishme të renesancës italiane: “Araniti, shërbëtor i Madhërisë Suaj, është shfaqur para Shenjtërisë së Tij dhe para Shenjtërisë së përmendur e në prani të zotërinjve të nderuar ka recituar në latinisht Atiynë dhe Ave Maria, dhe mbase, siç besoj, ka mbajtur edhe një fjalim të bukur po ashtu me vargje latine. Shenjtëria e Tij pati dëshirë që ai (i biri i Despinas) të flasë shqip, greqisht, sllavisht dhe latinisht, dhe të gjithë së bashku me zotërinjtë kardinalë e nderuan shumë atë në ditën e Shën Gjonit. Prandaj, Shenjtëria e Tij është i prirë të kujdeset për të na siguruar bukën e gojës që ne të rrojmë me nder… nesër do të kuptojmë më shumë sa para ka vendosur të na japë çdo muaj. Shpresojmë të marrim para”.

Araniti dhe i biri i saj u përkisnin dhjetëra-mijëra njerëzve, të cilët në Mesjetën e vonshme u arratisën në Itali dhe Hungari për t’i shpëtuar mësymjes osmane. Pasardhësit e tyre sot jetojnë si pakica të pranuara në vendet ku kishin kërkuar strehim: arbëreshët apo italo-shqiptarët në Siçili, Kalabri dhe Apulia, kroatët e Burgenlandit në Austri. Që nga shekulli i 19-të grupet politike të diasporës kanë ndikuar vendosmërisht në historinë e Ballkanit dhe nga larg kanë përgatitur kryengritje dhe jo rrallë në vazhdën e tyre edhe kanë ndihmuar në themelimin e shteteve: më 1821 një shoqëri sekrete e përhapur në gjysmën e Evropës planifikoi kryengritjen greke kundër Perandorisë Osmane. 170 vjet më vonë shqiptarët e Kosovës nga diaspora organizuan kryengritjen kundër represionit serb në Kosovë.