Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm dhe mënyra si reagojnë ndaj situatave stresuese nuk është e njëjtë, sepse varet nga forca e lëkundjes, mosha, shpjegimi që iu është dhënë nga prindërit, ekspozimi në media etj.
Në vijim shpjegohen disa nga shqetësimet e zakonshme të fëmijëve dhe mënyra si duhet reaguar nga prindërit, kujdestarët ose mësuesit.
Fëmijët ndihen konfuzë në lidhje me situatën:
Jepini shpjegime të qarta sa herë që ju pyesin.
Shmangini detajet që mund t’i frikësojnë.
Korrigjojini informacionet që i dinë gabim në mënyrë që të mos jenë të hutuar për rrezikun.
Mos ja trajtoni tërmetin si gogoli, por përshtatni me fjalë fëmijësh fenomenin natyror.
Për shembull, mund t’u thoni: “Në fund të planetit tonë tokë, ndodhen disa pllaka të mëdha si pllakat që kemi ne në shtëpi. Ato lëvizin dhe përplasen me njëra-tjetrën. Ndonjëherë përplasen pak fort dhe planeti dridhet.”
Fëmijët kanë frikë nga përsëritja e tërmetit:
Ndihmojini të kuptojnë diferencën mes tërmetit dhe pasojës që ndodh më pas.
Mos i gënjeni. Shpjegojini se mund të ketë të tjera lëkundje të lehta, por bëjini të ndihen të sigurt.
Fëmijët në panik:
Ndaloni me çdo kusht që të jenë në kontakt me mbulimin mediatik, pasi do të kenë më tepër frikë.
Fëmijët flasin gjatë gjithë kohës për tërmetin:
Lejojini që të flasin për tërmetin; është mënyra e tyre për t’u shprehur.
Përpiquni t’i mbani të zënë me aktivitete, si lojërat dhe vizatimet.
Fëmijët shfaqin probleme me gjumit:
Janë të larta mundësitë që të kenë ëndrra, makthe dhe frikë.
Shpjegojini se ëndrrat e këqija janë normale dhe do të ikin.
Bëjani të qartë që na ndodhin të gjithëve. Nëse e shihni të arsyeshme, flini me ta derisa të qetësohen.
Fëmijët ndryshojnë sjellje:
Pas tronditjes fizike dhe emocionale, ndodh që ndryshojnë sjellje dhe bëhen më agresivë. Në fakt, është një sjellje e zakonshme, ndonëse shqetësuese.
Bëni të mundur që fëmijët të jenë në kontakt me aktivitete kreative dhe argëtuese.
Fëmijët ankohen për dhimbje koke, stomaku, dhëmbësh etj:
Zbuloni nëse kanë nevojë vërtet për vizitë te mjeku, ose në të kundërt është një mënyrë e tyre për më shumë vëmendje si pasojë e frikës.
Sigurohuni që kanë fjetur, kanë pirë dhe kanë ngrënë mjaftueshëm.