Shëndet Si të provoni nëse maska juaj është efektive ndaj koronavirusit

Si të provoni nëse maska juaj është efektive ndaj koronavirusit

Maskat janë bërë diçka e nevojshme në kohën e pandemisë së koronavirusit dhe shumë persona kanë vendosur që t’i bëjnë vetë në shtëpi ato. Por, ka dyshime mbi efektivitetin e këtyre maskave ndaj Covid-19.

Simon Kolstoe, profesor i Universitetit të Portsmuthit, ka shkruajtur një artikull në revistën “Science Alert” ku tregon provën që duhet të bëjmë për të kuptuar nëse maska na mbron apo jo.

Testi është fare i thjeshtë dhe mund ta bëjë kushdo: fikni një qiri me maskën e vendosur. Sa më e vështirë të jetë fikja e tij, aq më efektive është maska që ju po përdorni.

Ditën e djeshme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Facebook bëri apel sërish që qytetarët të mbajnë maskë në të gjitha ambientet e mbyllura.

“Maska ose barriera mbrojtëse duhet të bëhet pjesë e veshjes së secilit prej nesh në normalitetin e ri dhe vendosja e saj është LIGJ në të gjitha ambientet e mbyllura! Që të ndihmojmë sistemin shëndetësor në përballimin e situatës nevojitet që çdo qytetar të marrë përgjegjësi individuale, duke vendosur detyrimisht maskën, për të ulur përhapjen e infeksionit”, lexohet në postimin e Manastirliut të shoqëruar me video.