Opinione Si u bënë Franca dhe Holanda kundërshtare të zgjerimit

Si u bënë Franca dhe Holanda kundërshtare të zgjerimit

Augustin Paloka

Ishte një natë zhgënjyese në Bruksel kalimi nga e enjtja në të premten. Shumë orë liderët e vendeve anëtare të BE-së diskutuan për procesin e zgjerimit, më saktësisht për të nisur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas shumë shtyrjesh, ishte koha që më në fund të merrej vendimi i cili për këto dy shtete do të ishte i një rëndësie të madhe, ndërsa për vendet e BE-së nuk do të paraqiste ndonjë obligim të madh. Fjala ishte për një hap në një proces shumë të gjatë dhe të vështirë. Vendimi për nisjen e negociatave nuk do të thoshte as nisje të negociatave e lëre më përmbyllje të tyre apo anëtarësim të këtyre vendeve në BE. Prandaj, sa i gabueshëm aq edhe i çuditshëm u duk kundërshtimi ndaj këtij vendimi.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, pa dyshim një prej politikanëve më me përvojë që ka Evropa, i cili e di shumë mirë se procesi i zgjerimit të BE-së ka qenë një projekt paqeje e jo vetëm një proces ekonomik dhe teknik, e quajti këtë si një “gabim të rëndë historik”. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkoi edhe më larg duke thënë se “Shqipëria dhe Maqedonia e kaluan testin – vendet anëtare të BE-së për fat të keq jo”. Që të dyja thanë se BE-ja nuk e mbajti fjalën, e nëse do të merret seriozisht në botë duhet ta mbajë fjalën e dhënë.

Por atyre që kundërshtuan këtë vendim nuk u intereson shumë mbajtja e fjalës, apo ndjenja për paqen dhe stabilitetin jashtë BE-së. Për ta, BE-ja edhe sot është tepër e madhe. Po të mund ta zvogëlonin, do ta bënin këtë, por jo duke larguar vendet e pasura si Britania e Madhe, që janë neto kontribuuese në buxhetin e BE-së.

Sado e rëndë dhe frustruese që ishte për Shqipërinë dhe Maqedoninë mungesa e vendimit nga ky samit, duhet kujtuar se nuk është hera e parë që BE-ja nuk e mban fjalën e vet. Të mos harrojmë se për Maqedoninë deri tash më shumë se dhjetë herë Komisioni Evropian kishte konfirmuar se i ka përmbushur kriteret dhe kishte rekomanduar hapjen e negociatave. Jo vetëm se nuk kishte ndodhur vendimi, por, për shkak të bllokadës nga Greqia, as që ishte vënë në rendë dite. Dhe sapo ajo u mor vesh me Greqinë, ndërroi emrin, dhe Athina hoqi dorë nga vetoja, doli Franca të jetë kundër, pa përmendur ndonjë arsye që lidhet me kushtet që duhet përmbushur vendi kandidat. Duket sikur për dhjetë vjet Franca dhe Holanda në rastin e Maqedoninë ishin fshehur prapa Greqisë. Sikur ishin fshehur prapa Sllovenisë, kur ajo e bllokonte përparimin e Kroacisë në procesin negociator.

Kosova e sheh edhe vetë se sa vlerë ka konfirmimi i Komisionit Evropian se janë përmbushur kushtet, mbështetja e shumicës së madhe të BE-së dhe mbështetja e Parlamentit Evropian, në rastin e liberalizimit të vizave. Nuk është për t’u habitur se pikërisht Franca dhe Holanda janë kundërshtaret më të mëdha për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sa ka ndjenja Holanda për rolin e BE-së në ndërtimin e paqes dëshmon edhe fakti se në këtë shtet u zhvillua referendum në të cilin u hodh poshtë Marrëveshja e Asociimit mes BE-së dhe Ukrainës, dhe madje në kohën kur Ukraina ishte në luftë dhe një prej arsyeve pse nisi lufta ishte vendimi i Ukrainës që t’i afrohej BE-së duke u larguar nga Rusia.

Për holandezët, gjithçka është rreth parave. Sa do të kushtojë zgjerimi i BE-së, kush do të paguajë për vendet e pazhvilluara që mund të hyjnë. Dhe këtu ata i kanë llogaritë e tyre, sepse për kokë banori holandezët janë ata që paguajnë më së shumti në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Holanda ka qenë vendi që më së shumti i ka bërë pengesa Kroacisë,nëse nuk llogaritet bllokada sllovene. Në secilin rast kur flitet për zgjerimin, Holanda në parim është kundër. Por është pak më korrekte sesa Franca, sepse ajo së paku zhvillon debat në Parlament, përmend arsyet e veta, ndërsa Franca mjaftohet me deklaratat politike se “së pari duhet reformuar BE-në e pastaj!”. Edhe pse BE-ja reformohet qëkur është krijuar dhe kjo asnjëherë nuk e ka penguar atë të zgjerohet.

Franca dhe Holanda u bënë skeptike ndaj zgjerimit që nga viti 2005. Atëherë ishte në vazhdim e sipër ratifikimi i Kushtetutës Evropiane, një dokumenti që do ta reformonte BE-në pikërisht pasi ishte zgjeruar me dhjetë shtete të reja. Por, së pari në Francë e pastaj në Holandë qytetarët e refuzuan këtë dokument. Tema që dominon në fushatën e referendumit ishte direktiva e propozuar për liberalizimin e shërbimeve brenda BE-së. Në Francë menjëherë qytetarëve ua shiten idenë se polakët do të vijnë për të punuar si elektricistë apo instalues të ujit. Kështu zgjerimi u pa si fajtor për shembjen e projektit më të madh që ka pasur BE-ja në historinë e saj për t’u modernizuar. Dhe gjithmonë sa herë përmenden pengesat për zhvillimin e BE-së, Parisi ka dashur gishtin ta drejtojë nga Londra, ani pse ka qenë Franca ajo që më së shumti ka bërë pengesa dhe bllokada.

Franca tash, sidomos tash kur Britania e Madhe del nga BE-ja, dëshiron ta rrisë ndikimin e vet. Do të jetë e vetmja fuqi bërthamore në BE. E vetmja anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Dhe do që ajo të vendosë për BE-në, ndërsa të tjerët ta ndjekin. Këtë duket se e ka në kokë edhe presidenti Emanuel Macron, i cili, duke pasur parasysh madhësinë e Francës, vështirë që ndihet në siklet pse të tjerët mendojnë se ka gabuar duke bllokuar Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, vështirë se ndien nevojë t’i arsyetohet dikujt. Ai e ka përfillur qëndrimin e Parlamentit të tij, i cili nuk do që Shqipëria të hapë negociatat, ndërsa për Maqedoninë ishte i gatshëm të pranojë.

Në bllokadën e vendimit për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk duhet parë as sentimente antishqiptare e as nuk duhet kërkuar arsye objektive. Franca dhe Holanda ka shumë vjet që janë bërë kundërshtare të ashpra të procesit të zgjerimit. Holanda e bën këtë në mënyrë më profesionale, ndërsa Franca as që e di se çfarë kërkon.

Atë që kërkon presidenti Macron tashmë ekziston. Zgjerimi nuk është proces i lehtë, por shumë i vështirë dhe i gjatë. Siç ua sqaroj kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, vetë i përfshirë në procesin negociator të vendit të tij, ky proces Kroacisë i ka zgjatur më shumë se vendeve të tjera që hynë para saj. Por, Kroacia kishte përmbyllur tërë procesin, nga nisja deri te mbyllja e negociatave, për 2096 ditë. Po aq ditë janë bërë qëkur negociatat i ka nisur Serbia dhe ajo ka hapur vetëm 17 e ka mbyllur vetëm 2 apo 3 kapituj. Pra, për kohën sa iu desh Kroacisë të përmbyllë procesin, Serbia nuk ka arritur as në gjysmën e rrugës. E ata që do të vijnë pas Serbisë do ta kenë edhe më të vështirë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova që do të vijnë pas Shqipërisë dhe Maqedonisë – shumë, shumë më të vështirë. Pra, nuk ka nevojë për ndonjë metodologji të re për të pritur vendimin për nisjen e negociatave.

Macron nuk ekzagjeron kur flet për peshën që ka vendi i tij nga azilkërkuesit e shumtë nga Shqipëria. Për t’u siguruar atyre kulm mbi kokë, ushqim dhe sigurim shëndetësor, procedura të ligjshme për shqyrtimin e kërkesave, ankesave dhe përkthyes, shtetit i kushton qindra e qindra miliona euro. Edhe për vendet e mëdha si Franca kjo është një barrë jo e lehtë. Prandaj gabojnë shqiptarët që mundohen ta relativizojnë këtë problem, sepse është problem shumë i madh. Por Macron gabon kur e lidh këtë me nisjen e negociatave. Ai për shembull qorton vendimin e heqjes së vizave për Shqipërinë “para se të nisen negociatat e anëtarësimit”. Harron apo nuk e di, apo nuk i intereson se të gjitha shteteve të rajonit vizat iu hoqën para se të niseshin negociatat, madje edhe para se të bëheshin kandidate. Bosnjë- Hercegovina ka liberalizim e nuk është fare as kandidate. Ka shtete që nuk janë fare në proces – si Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia – e që kanë liberalizim vizash. Mënyra se si flet Macron për problemet me ardhjen e azilkërkuesve nga Shqipëria lë përshtypjen se ai vështirë në një të ardhme do të pajtohet që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pa marrë parasysh a i ka përmbushur apo jo Kosova kriteret.

Në këtë debat duken qesharake ata, sidomos në Shqipëri, që e shohin këtu ndonjë komplot nga brenda, ndonjë lojë të opozitës apo faj të pozitës. Kësaj radhe nuk është Edi Rama fajtor e as Lulzim Basha meritor për këtë goditje që ia dha BE-ja Shqipërisë.

Mbështetësit më të mëdhenj të Shqipërisë ishin pikërisht partitë e qendrës së djathtë, ato të grupit EPP, ku është edhe PD-ja e Lulzim Bashës. Në favor ishin kancelarja Merkel, kryeministrat e Kroacisë, Bullgarisë, Letonisë, Austrisë, Irlandës, Greqisë, Hungarisë dhe të tjerat që janë nga ky grupim. Kundër ishin dy shtete ku në pushtet janë partitë liberale (Franca dhe Holanda), ndërsa në rastin e Shqipërisë kundër ishte edhe Danimarka, ku në pushtet janë socialistët.

Është e qartë se kundër zgjerimit nuk janë partitë populiste, por më shumë ato të majta dhe liberale. Populizmin dhe ekstremizmin vetëm po e marrin si justifikim. Gjithsesi ajo që ndodhi apo nuk ndodhi në Samitin e BE-së është edhe një mësim se integrimi në BE për vendet e Ballkanit duhet të mbetet synim, por nuk bën të jetë opsesion. Sepse nuk dihet se kur do të ndodhë dhe nuk mund të ketë garanci se do të ndodhë ndonjë ditë fare. Dhe nuk do të jetë fundi i botës as për BE-në e as për vendet që synojnë të bëhen anëtare. Ato duhet të shohin interesin e vet, ndërsa BE-ja të përballet edhe me realitetin se si e tillë as që mund të jetë ndonjë faktor i rëndësishëm më në rajon. Dhe ishte i rëndësishëm pikërisht për shkak se e mbante gjallë shpresën tek vendet e rajonit se mund të ecin drejt integrimit. Tash BE-ja duhet të përballet edhe vetë me pasojat e mosveprimit të saj.

Koha Ditore