Aktualitet Si u ekzekutua Fatmir Haklaj dhe çfarë e porositi Jahon në sekondat...

Si u ekzekutua Fatmir Haklaj dhe çfarë e porositi Jahon në sekondat e fundit të jetës së tij

Minimi i gati një kilometër rrugë në Qafën e Cërrnicës ishte një tregues se kundërshtarët e Fatmir Haklajt ishin gati të ndërmerrnin çdo rrezik vetëm e vetëm që ta eliminonin. Ata mbanin nën vëzhgim gjatë gjithë kohës kullën e Haklajve ndërkohë lëvizjet e Fatmirit u kufizuan së tepërmi. Tashmë, ai kishte probleme fizike, pasi ishte plagosur rëndë nga prita e 4 Gushtit të vitit 1999 në Brinjën e Cërrnicës.

Pas 3 atentateve të dështuara me mina, tashmë kundërshtarët po përgatisnin një goditje nga afër. Fatmiri, do të bënte një gabim të rëndë që do ta nxirrte zbuluar, duke u larguar nga kulla e fortifikuar në Kërrnajë.

“Unë e takova Fatmirin dhe më tha që do udhëtonin për në Bajram Currë, i thashë jo, po më tha do të udhëtoj se nuses i janë afruar ditët, dhe nusja Jahos pret të lindë. Kishim parandjenjë sikur diçka do të ndodhte”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Në fund të muajit Tetor të vitit 1999, Fatmiri, së bashku me Jahon dhe Sami Kërrnajën shkojnë në banesën e motrës së tij Aishes në fshatin Bujan. Ata qëndrojnë aty për disa ditë.

“Dy ditë para, pashë që çonte dorën te koka dhe e fërkonte, edhe i thashë a ke dhimbje a pse e çon dorën tek koka, ai nuk tregonte kurrë e nuk donte ti trishtonte njerëzit e më tha jo, skam dhimbje”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve.

Në 2 nëntor të vitit 1999, bashkëshortja e Jaho Mulosmanit kishte lindur vajzë. Ai, së bashku me Fatmirin dhe Sami Kërrnajën do të niseshin nga banesa e Aishes drejt kullës së Mulosmanëve dy ditë më pas, në 4 nëntor.

“Ditën që ai është nisur për te banesa e Jaho Mulosmanit ai pothuajse ishte pa ekuilibër sepse kafka e kokës së tij ishte çarë dhe truri i vogël ishte dëmtuar. Dhe kur doli te dera që donte të nisej e kishte një antiplumb edhe më tha ma sill, unë ia dërgova, e veshi, pas disa minutash e hoqi, tha nuk jam më Fatmiri që kam qenë, s’e mbaj dot, mezi po mbaj xhaketën, e hoqi dhe udhëtoi pa jelekun e tij”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Ata nisen në këmbë në distancë nga njëri–tjetri. Kjo ishte mënyra që lëviznin që nëse binin në ndonjë pritë, mos të goditeshin njëkohësisht, por të kishin mundësi reagimi për të ndihmuar njëri-tjetrin.

Kur arrijnë pranë kullës së Mulosmanëve, ata menduan se rreziku kaloi dhe bashkohen. Ky, do të ishte gabimi fatal. Sapo i afrohen kësaj banese të braktisur rreth 100 metër larg kullës së Mulosmanëve, ndaj tyre derdhen breshëri të egra kallashnikovi. Autorët ishin fshehur pas rrënojave, vetëm 4-5 metër larg rrugicës.

I pari goditet Sami Kërrnaja, i cili merr një plumb vdekjeprurës në ballë. Fatmiri ishte goditur pas shpine me disa plumba, pa pasur mundësi reagimi. I vetmi që u kundërpërgjigj ishte Jaho Mulosmani, i cili u fsheh në një gur. Edhe pse i plagosur me një plumb afër zemrës, ai hapi zjarr me breshëri duke detyruar autorët e pritës të tërhiqen me shpejtësi. Motra e Haklajve Aishja, tregon fjalët e fundit që Fatmiri i kishte thënë Jahos në ato momente.

“Çfarë tha Fatmiri kur deshi të dorëzohej se Berisha kishte vite që e kërkonte. E kuptoi pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, e kuptoi se çfarë ndodhi, s’qe në gjendje të reagojë dhe tha: “qëndro bajraktar”. Kjo donte të thoshte po dorëzohem por ti mos u dorëzo”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Ndoshta, fjalët e fundit të Fatmirit kanë ndikuar te Jaho i cili reagoi me shpejtësi. Autorët e pritës kishin qenë të paktën 5 persona. Banorë të fshatit Vatoc i kanë parë gjatë tërheqjes. Si përherë, ata ishin të veshur me kamuflazh. Mes ty re kishte efektivë të forcave speciale. Dukej që ishte e njëjta dorë si në ngjarjet e tjera. Objektivi kryesor ishte Fatmir Haklaj. Të paktën 2-3 prej autorëve kanë shënjestruar njëkohësisht vetëm Fatmirin.

Si bazë e grupit kishte shërbyer një pyll i vogël rreth 100 metër larg kullës së Mulosmanëve. Ata kanë qëndruar me ditë aty dhe kanë pritur momentin e duhur për të goditur.